Profesioni është nga ato “kleçkat” ku je në dilemë për të dëgjuar zemrën apo kuletën (provojeni me këtë të dytën)! Institucionet vendase qarkullojnë lista për disa nga punët më të preferuara, por edhe të paguara kënaqshëm në fund të ditës.
Rezulton që ekspertët e Teknologjisë së Informacionit janë një trend në rritje dhe me pretendime për të kryesuar si më të kërkuarit në tregun e punës. Kjo justifikon një sërë arsyesh e mbi të gjitha është një sektor me të ardhme e në zhvillim të vazhdueshëm. Me një pafundësi mundësish në zbatim, ky profesion të jep dorë në zhvillimin e programeve kompjuterike, administrimin e sistemeve kompjuterike dhe me shumë interes janë edhe zhvilluesit e web-eve. INSTAT u referohet shifrave konkrete kur citon se ky grup ekspertësh ka kapërcyer pragun prej 6,54 % vitet e fundit e paga mesatare mujore i kalon 100’000 ALL, joshëse dhe e kënaqshme.
Mjekët, infermierët apo edhe imazhineristët po dominojnë ndër profesionet më të kërkuara. Bluzat e bardha dhe shërbimet shëndetësore nuk njohin kurrë rënie për shkak të nevojës dhe domosdoshmërisë që lidhet direkt me jetën e njeriut. Emigracioni ka shtuar edhe më shumë vendet bosh, një shans më shumë për këtë sektor që nuk është çudi që së shpejti ta shohim në majë.
Kontrasti me profilet e tjera vijon thellohet edhe për inxhinieritë. Ky është profesioni që me hapa të mëdhenj që po eklipson të tjerët. Inxhinieria e Ndërtimit dhe ajo Elektrike duket se po “përkëdhel” sedrën e studentëve të fushës, duke shtuar radhët e aplikantëve e përkthyer me paga pa e tepruar “të majme”.
Nëse në një ekonomi të re në zhvillim ku qarkullohet para, duhet dikush të ruajë “rregullat e lojës”, kontabilistët dalin të fituar. Pa hezitim bëjnë pjesë në listën e më të kërkuarve. Vetë Shoqata Shqiptare e Kontabilistëve ka pranuar se ka hapësira të ethshme për kontabilistë sidomos me përvojë në procesin e analizës dhe të raportimit financiar. Profilet zgjerohen me mundësi në auditim dhe kontabilitet tatimor. Rrethi ngushtohet, pretendimet për paga rriten.
Marketingu dhe shitjet janë profesione shumë agresive në tregun e punës. Paraja vendos prioritet duke kërkuar gjithmonë pranë vetes persona të përkushtuar që dinë ta fitojnë dhe të hartojnë strategji të suksesshme. Tregu global është tundues dhe jo pak fitimprurës.
Nuk perëndon kurrë nevoja dhe kërkesa për mësues dhe pedagogë. Niveli arsimor nuk është më i mirë për t’u marrë në konsideratë. Degradimi i sistemit dëshmon gjurmët e thella të mangësive që nisin që nga mungesa e profesionistëve të kualifikuar. Realiteti i hidhur përtej zonave urbane është vrastar. Analfabetizmi funksional është kthyer në normë. Arsimtarët janë ndër pozicionet me kërkesa emergjente.
Në një vend ku ligji shkruhet e nuk zbatohet, avokatët dhe ekspertët ligjorë pasurohen çdo ditë. Profilizimi në specialitete shërbimesh krijon për këtë sektor “Parajsën mbi Tokë”. Kompleksiteti i problematikave të koklavitura mund të përplaset vetëm në dyert e avokatëve, profesion që ka yllin e fatit në krah.
Duke kaluar përtej kufijve, në botë bien në sy nevojat për zanate të ndryshme si shoferë, berberë, pilotë të linjave ajrore, dentistë apo veterinerë, ndërsa shifrat me shumë zero nga pas shkojnë për CEO të kompanive, agjentë imobiliarë, kontabilistë etj.
Kompromisi mes pasionit e parasë është pragu që duhet kapërcyer i pari, mes të dyjave përvojat kanë dëshmuar së njëra prej tyre, (shpesh kuleta) ka patur ankesa.