Të kërkosh punë është një mjeshtëri më vete. Përballja e parë me punëdhënësin është intervista. Që të mos ju duket ‘gogol’, thjesht ju duhet të kapni thelbin; Përqëndrim!
Për të patur një “Po!”, mjafton të zotëroni “artin” e të shprehurit qartë të asaj që synoni dhe pritshmëritë (mundësisht mos dilni tek paga që me fjalinë e parë).
Ekspertët e punësimit me shumë zemërgjerësi kanë treguar ca sekrete të profesionit, duke na e bërë më të thjeshtë. Sipas tyre, pa modesti fare, duhet treguar kujdes për pamjen e jashtme, deri ne detaje. (Punëdhësit i shohin gjërat me lupë). Si fillim femrat duhet t’i harrojnë takat e larta, trukun si për festa apo minifundet. Meshkujt nuk duhet ta teprojnë me flokët e sidomos me xhelin. Një kostum do ishte dinjitoz, por ‘sipas vendit, kuvendi’. Një veshje pak më sportive e me stil do ishte interesante nëse aplikimi juaj është për punë krijuese apo argëtim.
Me rëndësi është zotërimi i emocioneve dhe ankthit. Qetësohuni, intervista e punës nuk është një betejë lufte! Gjithmonë u jepet përparësi personave që kanë aftësi të mbajnë nën kontroll stresin. Kjo do jetë një pikë e fortë e juaja për ta fituar vendin e punës.
Pozitiviteti dhe portreti i buqëqeshur ju shtojnë pikë. Harmonia në staf është abc-ja e mbarëvajtjes. Duke qenë miqësorë e të hapur, ju mund të ktheheni në motor nxitës të progresit. (Një shanc ky që shefat t’ju marrin me sy të mirë).
Gjuha e trupit, ose do ju nxjerrë në krye ose do ju fundosë. Kujdes me qëndrimin, mimikën, veprimet. Finesa e mirësjellja janë baza e një fillimi të mbarë. Ndërtoni me natyralitet dhe zgjuarësi përshtypjen e parë!
Korrektësia do t’ju shpëtojë nëse punëdhësi e ka me mëdyshje. Respektoni kohën dhe paraqituni disa minuta më herët në intervistë. Serioziteti shprehet në këto detaje të vogla që në fakt janë përcaktuese. Kush do merrte në punë një person që në takimin e parë thotë se kishte trafik!?
Përpikmëria (e vështirë, por jo mision i pamundur). Një skaletë e projektit tuaj do ju prezantonte më së miri. Impenjimi juaj, shoqëruar me cv-në, do vlerësohej më tepër duke patur diçka konkrete në dorë.
Sinqeriteti dhe transparenca, janë kushte për t’u ndjekur. Dëgjoni me durim dhe përgjigjuni me maturi dhe sinqeritet. Mos harroni, pyetjet sokratike mund t’ju nxjerrin zbuluar! Rritjet profesionale shënohen me hapa konkretë, të sigurtë e me baza të forta. Bëni kujdes në zgjedhjen e fjalëve dhe mos abuzoni me konfidencat. Këto këshilla vlejnë deri në sekondat e fundit të intervistës për të mos e ulur interesin e punëdhësit.