Nëse po lexoni këtë artikull, gjasat janë që keni punuar ose po konsideroni të punoni në call center. E dimë që nuk ka reputacionin më të kulluar, por mos u dekurajoni. Një industri që thuajse s’ka barriera hyrjeje, të mundëson balancim mes jetës profesionale dhe jetës personale dhe të ofron siguri në punë s’mund të jetë kurrsesi aq punë e tmerrshme sa e bëjnë të duket.

Në morinë e artikujve që gjenden mbi të mirat dhe të këqijat e punës në call center, të mirat ishin gjithnjë shumica. Le t’i analizojmë.

Anët e mira të punës në call center

Aftësi të transferueshme

Gjatë përvojës suaj në call center ju do të edukoheni mbi gjithçka, duke nisur nga njohja e produktit, shërbimi ndaj klientit, aftësi kompjuterike, e deri te teknikat e shitjes. Një student i sapodiplomuar mund ta gjejë veten shumë mirë në call center sepse e lejon të provojë tregun e punës pa rrezik dhe gjithashtu i mëson aftësi që do t’i nevojiten në çdo pozicion në të ardhmen.

E zëmë se doni të angazhoheni me marketing apo të shkruani, apo të krijoni materiale promovuese. Këto role dhe pozicione mund t’i arrini me aftësi të shkëlqyera komunikuese dhe ekspertizë të detajuar produkti.

Aftësi të shkëlqyera komunikuese

Kur flasim për komunikim, nuk flasim për dy njerëz që bisedojnë në telefon; flasim për gjithë spektrin. Klientët kërkojnë një telefonatë të shpejtë, efiçente dhe të këndshme. Agjentët duhet të mjeshtërojnë stilet e komunikimit, të dëgjojnë aktivisht dhe të bëjnë pyetje cilësore për t’i shkuar në rrënjë problemit.

Sipas Paul J. Meyer, “Komunikimi – lidhja njerëzore – është çelësi i suksesit personal dhe në karrierë.” Teksa bëni punën tuaj, bëheni edhe eksperë të komunikimit në çdo nivel.

Paga, shpërblime, bonuse

Si një punë që s’kërkon arsim specifik dhe as njohuri domethënëse të një fushe të caktuar, puna në call center paguhet mirë. Jo vetëm paguhet mirë, por aplikohen dhe shpërblime, bonuse dhe skema të tjera përfitimi për punonjësin. Natyrisht, kjo varion nga kompania në kompani. Për më tepër, ngritja në detyrë nuk është një mal i pangjitshëm. Për sa kohë shfaq rezultate, titulli i ri është i yti.

Puna mbaron me turnin

Në dallim nga punët e tjera, në call center, në momentin që përfundon dita e punës mund të lësh gjithçka dhe të nisesh për shtëpi. Asgjë s’të detyron të rrish jashtë orarit apo edhe të përfundosh detyrën që kishe në dorë.

Fleksibiliteti

Ndërrimi i orarit të punës vazhdimisht mund t’ju duket makth, por mendohuni pak më gjatë. Nëse keni një porosi për të mbyllur në mëngjes, nuk do ishte mirë sikur të kishit mundësi të punonit pasdite? Nëse duhet të merrni fëmijët nga shkolla, nuk do ishte mirë sikur të kishit mundësi të punonit paradite? E kuptoni ku duam të dalim. Prania e fleksibilitetit të orareve është një plus që do ia kuptoni vlerën kur t’ju nevojitet.

Anët e këqija të punës në call center

Ngarkesa

Gjithë këto të mira nuk mund të vijnë pa të këqijat që i balancojnë. Puna në call center nuk është e lehtë. Mund të jetë e thjeshtë, por jo e lehtë. Stresi është pjesë e paketës në këtë industri. Do të kontaktoheni ose do të kontaktoni me dhjetëra njerëz në ditë, secili me problemet e tij, me personalitetin e tij. Minuti nuk i ngjason minutit. Do të jetë sfiduese dhe e ngarkuar, por për sa kohë në stilin tuaj të jetesës të mirat shfuqizojnë të këqijat, do ia vlejë.

Rutina

Përveçse të detyron të qëndrosh ulur për një periudhë të gjatë kohe, puna në call center kthehet shumë shpejt në një rutinë. Pasi futesh në sistem, iu përgjigjesh telefonatave, bën pushimin e drekës, i rikthehesh telefonatave dhe mbyll ditën tënde. Është e njëjta gjë çdo ditë. Do t’ju duhet të mundoheni pak për t’u ngritur në detyrë e për të marrë përgjegjësi që i japin shumëllojshmëri ditës.

A ia vlen?

Kjo mbetet në dorën tuaj. Vetëm ju e dini stilin tuaj të jetesës, oraret që ju përshaten, fushën ku shkëlqeni, sa shkoni me monotoninë dhe sa duhet të paguheni. Nëse mendoni se një call center është vendi i duhur për ju, ju rekomandojmë të hidhni një sy nga Assist Digital, Comdata dhe Tregi Marketing Group. Të treja këto kompani janë në fushata aktive marrjeje në punë. Dërgoni aplikimin tuaj dhe bëhuni gati për një përvojë të re. Këtu gjeni këshilla për intervistën nëse ju duhen.