Kur vjen momenti për të aplikuar për një vend pune, CV-ja është çelësi që ju hap derën dhe ju siguron një intervistë. Por si te shkruajme nje CV që do të lexohet e do të merret në konsideratë?

Përpilimi i një CV-je të suksesshme është e thjeshtë, mjafton të ndiqni disa hapa kyç. Në thelb, duhet të merrni aftësitë dhe përvojat tuaja dhe t’i përshtatni në bazë të pozicionit për të cilin po aplikoni. Po sikur të mos plotësoni gjithë kriteret? S’përbën problem. Përdorni teknikat e mëposhtme për të siguruar një intervistë pune.

Koka e CV

Në krye të çdo CV-je duhet të shkruhet emri juaj, pozicioni për të cilin aplikoni ose profesioni juaj. Në rreshtin poshtë tyre, shtoni të dhënat tuaja si numri i telefonit, adresa juaj e email-it, qyteti ku banoni dhe website, nëse keni një të tillë. CV-ja nuk duhet të jetë më e gjatë se dy faqe A4.

Përvoja e punës

Seksioni i dytë duhet të jetë gjithmonë përvoja e punës. Duhet të nisni nga punësimi më i fundit, pra pozicioni që mbani aktualisht ose puna e fundit që keni bërë. Gjithmonë, shkruani emrin e kompanisë për të cilën keni punuar, titullin e pozicionit tuaj atje dhe datën e fillimit të punës e të përfundimit. Listoni në këtë mënyrë gjithë punët që kanë lidhje me pozicionin për të cilin po aplikoni. Për shembull, nëse doni të punësoheni si rrobaqepëse, nuk është nevoja të shtoni që në adoleshencë keni qenë kasiere në supermarket për dy muaj.

Në varësi të profesionit tuaj, nën çdo përvojë që keni pasur mund të shkruani një paragraf të shkurtër me dy deri në tre fjali që përshkruan detyrat, përgjegjësitë dhe arritjet tuaja në secilin pozicion.

Edukimi

Porsi përvojat, edhe edukimi duhen listuar nga më i fundit. Listoni institucionin arsimor, llojin e diplomës, në cilën degë jeni diplomuar dhe datat e fillimit dhe përfundimit të edukimit. Ky rregull vlen për institucionet arsimore tradicionale dhe për institucionet e edukimit profesional.

Certifikimet

Trajnimet, kurset dhe certifikimet mund t’i përfshini tek Edukimi. Ose, nëse janë të konsiderueshme mund t’i vendosni në një seksion më vete me titull Certifikime. Nëse keni marrë pjesë në trajnime, workshop-e, seminare, konferenca a kurse, listojini gjithmonë nga më e fundit së bashku me titullin e institucionit dhe vitin që e keni ndjekur.

Aftësitë

Aftësitë ndahen në hard dhe soft, të cilat përkatësisht shqipërohen në aftësi teknike dhe aftësi interpersonale. Le të marrim një shembull. Disa aftësi teknike të një rrobaqepseje mund të jenë përdorimi i një makinerie specifike, realizimi i një procesi pune, vizatimi dhe skicimi, përdorimi i një programi kompjuterik që nevojitet në punë etj. Ndërsa aftësi soft ose ndërpersonale mund të jenë puna në grup, organizimi, korrektësia dhe vëmendja ndaj detajeve.

Gjuhët

Shkurtimisht, listoni gjuhët që mund të flisni. Nëse vendi i punës për të cilin po aplikoni shpreh preferencë për gjuhët e huaja, shtoni edhe nivelin e rrjedhshmërisë në secilën prej tyre. Nëse nuk flisni gjuhë të huaja, këtë seksion mos e shtoni.

Interesat

Shumica e CV-ve përfshijnë në fund një listë me interesat personale të kandidatit. Këtu mund të shtoni aktivitete dhe hobi që s’kanë medoemos lidhje me jetën tuaj profeisonale. Duke shprehur se ju pëlqejnë, për shembull, romanet, udhëtimet, të gatuarit dhe fotografia, ju i tregoni punëmarrësit tuaj të ardhshëm pak nga personaliteti juaj. Fundja, puna nuk është vetëm punë nga fillimi i ditës e deri në fund. Mënyra si ndërveproni me të tjerët ka rëndësi. Sidoqoftë, ky seksion nuk është i detyrueshëm. Mund të mos e shtoni.

Si te shkruajme nje CV të paraqitshme

Pasi të keni shkruar gjithë këto informacione, sigurohuni që CV-ja juaj të jetë e pastër, pa gabime drejtshkrimore dhe të ketë strukturë të qartë. Ruajeni dokumentin tuaj me këtë format titulli: Emri_Mbiemri_Pozicioni.

Linqe të dobishme

Për të ndërtuar CV-në tuaj mund të përdorni Microsoft Word, veçse do ju nevojitet më shumë kohë për të strukturuar dhe redaktuar gjithë tekstin. Mund të përdorni Canva, e cila ka pafund formate të gatshme e pa pagesë. Mund të përdorni një shërbim me pagesë si resume.io, i cili kërkon prej jush vetëm të plotësoni një formular disafaqësh dhe më pas e ndërton vetë CV-në tuaj. Në rast se asnjë nga këto s’ju bind, Europass-i i besuar është alternativë shumë e mirë.

Shkurtimisht, mund të përdorni:

Aplikimi

Pasi të keni gati CV-në përpiloni një email ose mesazh të sjellshëm dhe të shkurtër si më poshtë:

“Përshëndetje,

Uroj të jeni mirë. Ju shkruaj në lidhje me njoftimin e punës për [POZICIONIN] publikuar te Gazeta Çelësi. Bashkangjitur gjeni CV-në time. Më njoftoni nëse ju nevojitet diçka tjetër prej meje. Shpresoj të dëgjoj prej jush së shpejti.

Faleminderit,

[EMRI, MBIEMRI]”

Gjithçka varet nga rrethanat

Jo çdo aplikim për punë ka nevojë për CV. Për disa mjafton një mesazh interesi, për të tjerë nevojitet CV, letër motivimi e ndoshta referenca. Pasi të analizoni njoftimin e punës dhe kompaninë që e ka publikuar, mbetet në dorën tuaj se çfarë duhet të përfshini në aplikim. Disa kompani shprehin preferencë për moshën e të tjera kanë nevojë për foto të aplikantëve. Struktura e mësipërme duhet të shërbejë si skelet. Gjithçka tjetër që duhet shtuar a hequr, varet nga pozicioni për të cilin po aplikoni. Jini të vëmendshëm e paçi fat!