Nëse shtëpia është perfekte, por çmimi i qerasë jo, mos u dorëzoni. Mundësia për të negociuar është gjithmonë prezente. Pasi të shprehni interes dhe pasi të keni kaluar fazat fillestare të marrjes së një shtëpie me qera, ja çfarë duhet të bëni për ta afruar çmimin e pronarit me çmimin që keni në mendje. 

Kuptoni tregun

Hapi i parë duhet të jetë medoemos hulumtimi. Analizoni sa kushtojnë qeratë e shtëpive rreth e rrotull asaj që ju intereson. Përfshini në analizë mobilimin, vendin e parkimit dhe zhvillimet në zonë. Nëse mësoni se ajo lagjje nuk ka ujë të rrjedhshëm gjatë gjithë kohës ose ka probleme me energjinë elektrike, këto informacione mund t’i përdorni gjatë negociatave për të ulur çmimin e qerasë. Kërkoni dhe analizoni që të jeni sa më të informuar teksa diskutoni çmimin e qerasë.

Mbani parasysh periudhën e vitit

Gjatë verës është më e thjeshtë të gjesh shtëpi me qera në rradhë të parë dhe shtëpi me qera të lirë në rradhë të dytë. Gjatë vjeshtës ose ndryshe para fillimit të vitit shkollor, kur mijëra studentë i drejtohen qendrave urbane me një synim të përbashkët – një shtëpi me qera afër shkollës –  vlen e kundërta. Natyrisht periudha e vitit do të influencojë qëndrimin e qeradhënësit mbi çmimin e qerasë. Nëse keni mundësi të shpërnguleni në verë, rrethanat janë në të mirën tuaj. Ama, nëse jeni studentë që duhet të shpërnguleni për të vijuar shkollën, përpiquni të gjeni shtëpi dhe të lëvizni pak para se të nisë vala e madhe. 

Ofroni diçka

Nëse prisni një çmim më të ulët, pala tjetër ka të drejtë të presë diçka prej jush në këmbim të këtij çmimi. Ofroni një kohëzgjatje më të gjatë kontrate, ofroni të kryeni gjithë mirëmbajtjet dhe riparimet e nevojshme në shtëpi ose ofroni të paguani disa muaj njëherazi (nëse keni mundësi).

Mos e merrni personale

Çfarëdo përgjigjje të merrni nga qiradhënësi, mos e humbni qetësinë dhe as kurajon. Në rastin e një refuzimi, mos e merrni as personale. Siç ju po kujdeseni për interesat tuaj, ashtu bën edhe qiradhënësi. Rinisni kërkimin dhe paçi fat.