Çfarë pune po kërkoni?” pyesim ne thuajse çdo ditë. “Një punë të mirë,” thonë shumica. Por çfarë është një punë e mirë? Me siguri mund të hamendësojmë se lexuesit tanë duan të thonë se kërkojnë një punë më të mirë se ajo që kanë. Një punë që i bën të ndihen më mirë, që u mundëson të rriten profesionalisht dhe që i paguan më mirë.

Kuptoni se është momenti për të gjetur një punë më të mirë kur nuk keni më pasion për atë që bëni, kur nuk sfidoheni më dhe kur nuk shihni asnjë mundësi për progres. Kështu që, le të flasim për hapat që duhen ndjekur kur duam të përmirësojmë situatën profesionale.

Natyrisht, këto udhëzime nuk mund të aplikohen fjalë për fjalë në çdo industri, në çdo formim apo përvojë, por sentimenti mbetet i njëjti. Përdorini si udhëzime të përgjithshme dhe modifikojini sipas nevojës.

Si të gjesh një punë më të mirë

Në momentin e parë që ndiheni gati për të bërë tranzicionin dhe për të gjetur një rol që i përshtatet më mirë aftësive, nevojave dhe mundësive tuaja, mund të nisni të kërkoni punë te gazetacelesi.al. Ndiqni këto hapa për të mësuar si të lidhni përvojën tuaj të mëparshme me pozicionet që kërkon tregu.

Analizoni çfarë kërkoni ju nga një vend pune

Para se të nisni me aplikimet, rishikoni pozicionin momental, çfarë ju pëlqen dhe çfarë nuk ju pëlqen në punën që bëni. Ky veprim do ju ndihmojë të kuptoni çfarë po kërkoni vërtet. Shkruani përgjegjësitë që doni të mbani në një rol të ri. Dhe më pas shkruani detyrat që doni të kryeni gjatë një dite pune.

Analizoni aftësitë dhe ekspertizën tuaj

Tregohuni vërtet mendjehapur në këtë hap. Mendoni për çdo gjë që keni bërë në karrierën tuaj profesionale dhe çfarë keni mësuar. Marrim një shembull. Të shërbesh si kamarier nuk është thjesht vendosje gotash në tavolinë. Të shërbesh si kamarier do të thotë të njohësh klientin, të mirëmbash marrëdhënien, të kujdesesh për imazhin e biznesit etj. Pra, detyra që ju i konsideroni të rëndomta fshehin aftësi dhe talente që duhet ti nxirrni në dukje dhe t’i përdorni në kërkimin tuaj për një punë të re.

Pasi të listoni gjithë aftësitë që keni fituar në punët që keni bërë, studioni pakëz dhe gjeni çfarë kualifikimesh, trajnimesh apo certifikimesh ju nevojiten për të qenë një kandidat më i mirë. Duke përmirësuar veten, përmirësojmë edhe rrethanat tona. Ndoshta gjeni dobi në një kurs të shkurtër online, ndoshta ju nevojitet formim i mirëfilltë, ndoshta një praktikë pranë një eksperti do ju hynte në punë.

Imagjinoni kompaninë ideale

Kur të keni të qartë llojin e kompanisë për të cilën doni të punoni, listoni disa që përmbushin kriteret tuaja. Në tregun e punës, jeni ju ofruesi dhe ata kërkuesi. Fuqia është në dorën tuaj. Mbani shënim gjithë kompanitë që kërkojnë punonjës momentalisht në rolin tuaj të preferuar. Gjithashtu, mund të vendosni job alerts në LinkedIn që ju njoftojnë në momentin që lirohet një pozicion me titullin që kërkoni ju.

Ndërtoni ose përditësoni CV-në tuaj

Idealisht, CV-ja që dërgoni për një pozicion pune duhet të jetë e krijuar posaçërisht për atë pozicion. Kujdesuni që nën çdo punë që keni bërë të shkruani aftësitë e mësuara që kanë lidhje me punën për të cilën po aplikoni. Përdorni strukturën “Situata ishte A, unë bëra B dhe rezultati ishte C” për të nxjerrë në pah talentin dhe kontributin tuaj.

Pasi të redaktoni CV-të, hidhini një sy të dytë dhe sigurohuni të përdorni terma që janë përdorur në njoftimin e punës. Gjithmonë, kjo vlen nëse mund të aplikohet. Tregohuni të sinqertë dhe mos fabrikoni realitetin. Për shembull, nëse njoftimi i punës përmend Microsoft Excel dhe ju keni përdorur Excel vite me rradhë, përmendeni disa herë në CV dhe shpjegoni si e keni shfrytëzuar këtë program.

Përgatituni për intervistën

Intervista është momenti më i rëndësishëm i gjithë këtij procesi. Nëse keni arritur deri këtu keni bërë pjesën më të madhe të punës, por pjesa më e vështirë është tejkalimi i kësaj sfide. Listoni pyetje që mund t’ju bëjnë në intervistë; pyetje që kanë lidhje ose jo me pozicionin për të cilin po aplikoni. Energjia e intervistës ka gjithashtu peshë. Biseda duhet të jetë e këndshme për të dy palët. Sigurohuni të jeni profesionalë, por natyralë, të sjellshëm dhe të shprehni interes.

Përcaktoni dhe negocioni pagën e dëshiruar

Merrni parasysh sa paguheni momentalisht dhe merrni parasysh sa mendoni se meritoni në rolin tuaj të ardhshëm. Bëni mirë të kërkoni mbi pozicionin për të cilin po intervistoheni dhe të zbuloheni sa është paga mesatare në qytetin ku punoni. Në momentin që ju pyesin mbi paketën financiare, jepni pa u trembur intervalin tuaj të preferuar. Mund të thoni: “Në bazë të kërkimeve dhe aftësive të mia, mendoj se paga për këtë pozicion duhet të jetë rreth 50.000 – 80.000 lekë neto në muaj.”

Pasi të bini në dakordësi, shfaqni mirënjohje dhe falenderim dhe bisedoni për detajet e mbetura: data e fillimit, dokumentacioni që ju nevojitet etj.

Jepni dorëheqjen nga punëdhënësi aktual

Pasi të keni pranuar ofertën nga punëdhënësi juaj i ri, jepni dorëheqjen nga kompania për të cilën punoni aktualisht. Letra e dorëheqjes duhet të përfshijë:

  • Përshëndetje formale
  • Deklarimin se po jepni dorëheqjen
  • Ditën e fundit në punë
  • Shprehje mirënjohjeje dhe falenderimi
  • Listën e detyrave që keni në dorë dhe planet tuaja për përfundimin e tyre
  • Informacione të tjera që mendoni me rëndësi

Preferohet që letrën e dorëheqjes t’ia dorëzoni personalisht eprorit apo menaxherit të burimeve njerëzore. Sigurohuni që të largoheni nga kompania me raporte të mira.

Paçi fat!