Para se të merrni me qera një apartament apo një shtëpi, duhet të përcaktoni sa doni të shpenzoni për qeranë duke ruajtur një pjesë të të ardhurave për të jetuar në mënyrë komode. Rregulli i 30% është një prej metodologjive më popullore për të përcaktuar sa duhet të paguani. Madje është rezultati i parë me të cilin haseni kudo që të kërkoni.

Origjina e rregullit

Ky rregull këshillon që qeraja nuk duhet të kushtojë më shumë se 30% e të ardhurave të çdo muaji. Nëse veproni kështu, ju mbeten mjaftueshëm të ardhuar për të mbuluar shpenzime të tjera dhe për të arrirë synimet tuaja financiare. Por a është kjo deklaratë e vërtetë?

Rregulli buron nga The National Housing Act, një program amerikan i viteve ’30. Asokohe, qeveria përcaktoi një listë udhëzimesh për qeramarrësit e disavantazhuar dhe vendosi një përqindje maksimale të të ardhurave që mund ta shpenzonin për qera për të jetuar normalisht. 30% u përcaktua në vitin 1981. Kanë kaluar 40 vite, rrogat nuk janë të njëjtat, qeratë sigurisht që jo dhe më e rëndësishmja, ne nuk jetojmë në Amerikë.

Le të bëjmë një llogari të thjeshtë.

Paga minimale në Shqipëri është 30.000 lekë, e cila nuk tatohet. Nëse bëhet fjalë për një person që jeton vetëm dhe paguan qera, i takon të paguajë 9.000 lekë. Qera me këtë çmim, për të mos thënë e pamundur, është shumë vështirë të gjendet. Kur merr në konsideratë faktin që një pjesë e mirë e popullsisë është vendosur në Tiranë, atëherë një qera prej 9.000 lekësh shndërrohet në legjendë, në ëndërr.

Ana tjetër e monedhës, një person që paguhet 150.000 lekë – për standardin në Shqipëri janë të ardhura të konsiderueshme – duhet të shpenzojë 45.000 lekë në muaj për qera. Sipas statistikave të Eurostat, qeraja mesatare për një apartament 2+1 në Tiranë është 540 euro, ndërsa sipas agjencive imobilare në Shqipëri, qeraja vështirë të bjerë nën 300 euro, pavarësisht zonës ku ndodhet banesa. Mbetet vetëm të spekulojmë për personat që fitojnë të ardhura mujore mes rrogës minimale dhe pagave që kalojnë 100.000 në muaj. Pra, nëse është e vështirë për dikë që merr 150.000 lekë në muaj të paguajë 30% të të ardhurave për qera, mos vallë duhet të injorojmë si rregull tërësisht?

Shkurtimisht, po.

Tregu i pronave të paluajtshme është kaotik dhe s’mund të përpilohet një përqindje që u përgjigjet të gjithëve. Një përqindje nuk merr parasysh detyrimet të tjera financiare që mund të keni, vendin ku punoni dhe si rrjedhim ku do të ishte e volitshme të banonit, sa fëmijë keni dhe sa e madhe ju nevojitet shtëpia (prona më të mëdha kushtojnë më shumë, pavarësisht sa fiton në muaj), etj.

Për të gjetur një vlerë referencë, ja çfarë duhet të bëni:

  1. Regjistroni shpenzimet tuaja mujore

Mund të përdorni faqe si Mint.com ose MoneyMinderOnline për të kategorizuar çdo shpenzim. Ose mund të ndërtoni një document në Excel dhe t’i ekstraktoni të dhënat si grafikë për të pasur një pasqyrë më të qartë.

  1. Krijoni një fond emergjence

Për ata që kanë mundësi të kursejnë rekomandohet krijimi i një fondi emergjence të paktën tre mujor. Gradualisht, duhet të keni ruajtur tre deri në gjashtë muaj qera dhe detyrime të tjera financiare nga të cilat nuk arratiseni dot për një ditë të keqe ose në rast se humbisni burimin e të ardhurave.

  1. Përdorni Buxhetin 50/30/20

Për t’i lehtësuar punë vetes, mund të përdorni buxhetin 50/30/20. Baza do të jetë rroga juaj neto ose rroga neto e të punësuarve në familje. 50% e të ardhurave shkojnë për strehim, fatura energjie elektrike, uji, telefoni, ushqime, transport dhe shpenzime të tjera me rëndësi që kushtojnë thuajse njësoj çdo muaj. 30% e të ardhurave shkojnë për “dëshira” si veshje, restorante, aktivitete argëtuese, etj. Dhe së fundi, 20% duhen kursyer, qoftë për të pasur fonde rezervë, qoftë për të planifikuar pushimet e rradhës.

Ju jeni ekspertët

Sidoqoftë, kini parasysh se këto janë këshilla të përgjithshme dhe nuk mund të marrin parasysh situatën specifike në të cilën mund të ndodheni. Ju dini më mirë se kushdo të menaxhoni të ardhurat tuaja sepse keni më shumë informacion mbi rrethanat dhe më shumë përvojë të jetuar me atë sasi specifike të ardhurash. Shpresojmë që udhëzimet tona t’ju ndihmojnë të paktën në një moment në jetën tuaj.

 

Alberta Kamenica