Dikur, një punë nga shtëpia tingëllonte si ëndërr, si fjalë të thëna përçart, por së fundi ka pasur një zgjerim të pozicioneve që mund t’i bëni nga rehatia e apartamentit tuaj, kudo të ndodheni; qoftë hapja e një biznesi të vogël që operon online apo punësimi në një kompani që pranon punonjës në distancë. Duhet të qartësojmë se shumë punë mund të kryhen për sa kohë personi përgjegjës ka një kompjuter dhe lidhje me internetin, por kjo s’do të thotë se është e lehtë të gjendet një mundësi e tillë. Disa punë të tjera kanë reputacion si “punë nga shtëpia” dhe kanë barriera më të ulëta hyrëse.

Lista

Në vijim do të gjeni një listë punësh që nuk kërkojnë prezencën tuaj në zyrë apo në studio. Shumë prej tyre janë të kërkuara nga bizneset vendase dhe thuajse të gjitha kërkohen në tregun ndërkombëtar. Duke qenë se bëhet fjalë për punë nga shtëpia, kufijtë s’kanë rëndësi, apo jo?

Menaxher/e rrjetesh sociale

Në këtë kategori përfshijmë menaxherët, strategjistët, krijuesit e reklamave e gjithë pozicionet në këtë pellg. Kërkesa është e lartë, po ashtu edhe profesionistët e rinj në këtë fushë. Paraprijini konkurrencës duke qenë të mirëinformuar, të edukuar dhe të gjithanshëm. Profesionisti mund t’ju ndihmojë në gjetjen e një pune të tillë. Hidhini një sy website-t.

Kujdestar/e fëmijësh

Mund të kujdeseni për fëmijë disa orë në ditë, gjithë ditën apo sipas kërkesës. S’mund të themi që është puna më fitimprurëse, por me manaxhimin e duhur dhe klientët e saktë, mund të kthehet në një përvojë shumë përmbushëse.

Konsulentë

Nëse jeni të mirëinformuar dhe ekspertë në një fushë specifike mund ta ndani me të tjerët dijen tuaj. Për shembull, nëse jeni financier apo jurist, mund të informoni bizneset vendase mbi praktikat e punës dhe të tarifoni një vlerë të përshtatshme për kohën tuaj.

Konsulent i shërbimit ndaj klientit

Keni aftësi të shkëlqyera komunikimi? Keni një lidhje të shpejtë interneti? Atëherë mund të punoni nga shtëpia si përfaqësues i shërbimit ndaj klientit. Këtë mundësi e ofrojnë disa kompani në Shqipëri. Mos lejoni paragjykimet t’ju pengojnë. Mund të tingëllojë si punë call center nga shtëpia, por shërbimin ndaj klientit mund ta ofroni edhe nëpërmjet email-eve, edhe nëpërmjet chat-it. Jo gjithçka bëhet përmes telefonit.

Hedhës të dhënash

Natyrisht, nuk është puna më emocionuese, por dikush duhet ta bëjë. Për më tepër që s’ka nevojë për aftësi domethënëse apo përvojë të mëparshme.

Shkrues materialesh promocioni

Çdo tekst i lexuar, i printuar është shkruar më parë nga dikush. Ky dikush mund të jeni ju. Kërkesa për materiale promocioni është e madhe veçanërisht jashtë vendit. Mund të përdorni Fiverr ose Upwork për të gjetur klientët tuaj të ardhshëm. Madje, kemi hapësirë të zgjerohemi edhe pak në këtë pozicion. Për të gjithë ata që kërkojnë punë si përkthyes nga shtëpia, e njëjta gjë vlen dhe për ju. Të njëjtat platforma bëjnë ndërmjetësimin mes përkthyesve dhe bizneseve.

Themelues dyqani online

Mirëfilli, një punë online nga shtëpia. Mund të tregtoni një produkt që e prodhoni vetë, produkt që blihet me shumicë brenda apo jashtë vendit ose mund të tregtoni të mira dixhitale (si guida, lista, kurse, ebooks, art, software etj). Përmes platformave si Shopify ose WooCommerce dhe një prezence në rrjetet sociale mund të shisni gjithçka. Për sa kohë ka kërkesë, natyrisht.

Graphic Designer

Një nga pozicionet që mund të realizohet lehtësisht nga rehatia e shtëpisë suaj. Klienti sheh portofolin, aprovon projektin, ju nisni punën, paguheni. Kaq e thjeshtë. Sigurohuni të marketoni mirë aftësitë tuaja në rrjetet sociale apo në platforma punësimi. Fare mirë mund të publikoni një njoftim në Gazetën Çelësi dhe të shpallni shërbimet që ofroni. Kjo vlen për të gjitha punët freelance.

Fotograf/e dhe Videograf/e

Kur shihni fotot e një dyqani online, a mendoni ndonjëherë nga vijnë? Shumicën e rasteve, nga vetë furnitori. Së fundi ama, bizneset kanë filluar të kuptojnë vlerën e një fotoje të mirë e që e paraqet produktin ashtu siç është. Çdo ditë e më shumë këta sipërmarrës janë të gatshëm të investojnë në një fotograf të mirë produktesh. Nëse profilizoheni, është një karrierë fitimprurëse. E njëjta gjë vlen edhe për videografët. Thuajse çdo platformë sociale favorizon videon dhe krijuesit janë të detyruar të përshtaten.

Montazhier

Confident Man Video Editor Works with Footage in Creative Office Studio with light in background.

Gjithë këto video duhet t’i montojë dikush. Për fat të keq, në tregun vendas, shumë profesionistë janë detyruar të fusin këmbët në gjithçka. Por s’mund të jesh ekspert në pesë, tre apo edhe dy disiplina. Vetëm në një. Nese ju jeni montazhier ekspert, patjetër që puna juaj do ketë vlerë domethënëse. Mund të bëni klientë agjencitë e marketingut, kompanitë e eventeve apo influencerët e shumtë.

Mësues/e gjuhësh të huaja

Nëse pandemia na mësoi diçka, na mësoi që edukimi online është i bëshëm dhe efektiv. Mund të publikoni njoftimin tuaj në portalin tonë, mund të interesoheni në qendra kursesh për gjuhët e huaja në vend ose mund të hidhni sytë përtej kontinentit. Në këtë link gjeni punë nga shtëpia si mësues/e anglishteje, publikuar nga kompani angleze.

Kontabilist/e

Çdo biznes ka nevojë për një kontabilist ose për një ekspert më të formuar financiar. Kontabilistët ishin pionerët e punës nga shtëpia sepse mund t’i kryenin detyrat e tyre thjesht me faturat që u paraqiteshin. Nëse të punoni nga shtëpia ka shumë rëndësi për ju, konsideroni arsimin profesional apo të lartë që jua siguron këtë të ardhme.

Zhvillues/e faqesh web

Kjo punë mund të jetë puna më fitimprurëse e kësaj liste. Kërkesa për zhvillues faqesh web apo aplikacionesh është e madhe jo vetëm në Shqipëri, por kudo. Fatlumët që zgjodhën këtë industri vetëm duhet të zgjedhin për kë duan të punojnë dhe sa duan të punojnë. Gjithçka tjetër është e negociueshme.

Gazetar/e portalesh

Gazetarët ose reporterët e portaleve publikojnë në faqen web të gazetës apo revistës në mënyrë autonome lajmet më të fundit të fushës në të cilën janë specializuar. Nga burime të tjera të besueshme, një gazetar portalesh merr informacionin e nevojshëm dhe pasi i njeh autorësinë origjinalit, e raporton në vendin ku punon. Për sa kohë keni talent në shkrim apo një penë të veçantë, këtë punë mund ta bëni shumë mirë nga shtëpia.

Pastiçier/Shef

Nëse jeni të dhënë pas gatimit, mund ta shfrytëzoni talentin tuaj dhe të fitoni të ardhura dytësore çdo muaj. Pjatat, ëmbëlsirat apo krijimet mund t’i shisni në komunitetin tuaj, online apo në restorante e kafene të qytetit.

A mund të punosh vërtet nga shtëpia në Shqipëri?

Me përjashtim të rasteve që e specifikojnë pozicionin remote, nuk është sfida më e thjeshtë të gjesh një punë të tillë. Sidoqoftë, nëse zotëroni aftësitë dhe keni ambicie, mund të negocioni me çdo punëdhënës. Sigurojuni që rezultati dhe produkti i punës suaj do të jetë i njëjti, si në zyrë, si në shtëpi dhe në keni fat, do të arrini një marrëveshje. Në të kundërt, mos neglizhoni mundësitë e shumta që ju sjell interneti.

Mund të vini re në listën e mësipërme që shumë prej pozicioneve kërkojnë specializim ose arsimim në një fushë të caktuar. Kjo u vlen veçanërisht të rinjve që s’kanë marrë ende një vendim mbi rrugën që do të ndjekë karriera e tyre. Natyrisht nuk përjashtohen gjithë të tjerët që janë të zellshëm të mësojnë një zanat a profesion të ri. Për sa kohë zgjimi pesë minuta para orarit zyrtar, rehatia e shtëpisë, ushqimi i ngrohtë dhe kursimi i karburantit kanë rëndësi për ju, ia vlen të konsideroni të punuarit nga shtëpia si një kusht të nevojshëm.