Njerëzit e suksesshëm në karrierë, në biznes, sipërmarrës, inovatorë e pionerë të fushave, çdo njeri që mund të keni admiruar të tyre kanë një të përbashkët që qëndron në themelet e arritjeve të tyre: objektivat. Është shkruar gjerë e gjatë si vendosen objektivat dhe pse janë të rëndësishëm –  përmirësojnë vetëbesimin dhe rrisin produktivitetin – por shkenca pas këtyre fakteve është disi më e vagët.

Kur dimë pse diçka funksionon jemi më të gatshëm ta përqafojmë dhe jemi më të informuar në vendimarrje. 

Pesë arsyet pse objektivat funksionojnë

Objektivat nxisin sjelljen

Pasja e një objektivi të qartë dhe sfidues e çon fokusin menjëherë te sjellja. Në fjalë të tjera, vendosja e objektivave sjell motivim. Le të hamendësojmë se shoku juaj ka vendosur objektiv të kursejë për të blerë një makinë të re. Ju e pyesni se çfarë makine do dhe ai përgjigjet: “Një makinë çfarëdo me katër rrota.” Mendoni se kjo e motivon? Me shumë mundësi jo. Problemi qëndron në turbullimin e synimit final. Objektivi duhet të jetë i kristaltë si për shembull “duhet të kursej dhjetë mijë euro deri në fund të vitit që të blej një Volvo.” Me këtë objektiv ai ka diçka për të cilën shpreson, ka një nxitës që i fuqizon përqëndrimin.

Objektivat orientojnë përqëndrimin

Kur vendosni një objektiv, natyrshëm e drejtoni vëmendjen nga hapi i rradhës dhe si rrjedhim, merrni rrugën e duhur. Kur gjendeni në drejtimin e duhur sjellja dhe veprimet tuaja orientohen nga objektivi. Ndoshta tingëllon pak klishe, por atë që beson mendja e bën trupi. Trupi ndjek vërtet mendjen.

Objektivat ruajnë vrullin

Progresi krijon varësi. Pasi shpërblehemi truri lëshon dopaminë, që fal kënaqësi dhe krijon varësi. Vrulli funksionon si orteku që zmadhohet teksa bie nga kodra. Nëse shihni që jeni në rrugën e duhur dhe ndiheni të pandalshëm, rekomandohet të mos ndalni. Në momente të tilla arrihen objektiva edhe më ambiciozë se ata që keni vendosur për veten.

Objektivat ju tregojnë rrugën

Gjatë procesit të arritjes së objektivave ju merrni mbrapsh komente mbi përparimin tuaj. Hapat që ndërmerrni – ose që shmangni – informojnë vlerat, besimet, sfidat dhe dobësitë që mund të keni. Në këtë mënyrë, mund të ndërroni metodë dhe të riparoni, redaktoni dhe rishikoni strategjinë sipas nevojave.

Objektivat ju shtyjnë të përmirësoheni

Arsyeja më e rëndësishme pse duhen vendosur objektiva është ndikimi i jashtëzakonshëm që kanë në përmirësimin e vetes. Në fakt, arritja e objektivave ju përmirëson. Veprimi i vendosjes së objektivave do ju tregojë dhe të identifikoni çfarë ka rëndësi për ju, por hapat drejt arritjes së këtyre objektivave do ju rrisin vërtet. Kur arrini një objektiv shndërroheni në personin që mund t’i arrijë gjërat që do.

Dhe mos harroni, nuk mund të menaxhosh atë që nuk mat dhe nuk të përmirësosh atë që nuk menaxhon. Vendosni objektiva që sot.