Çmimet e shtëpive në Tiranë janë një temë veçanërisht e nxehtë në profilet e Gazetës Çelësi. Çdo apartament është i shtrenjtë, çdo qera është e lartë. Prandaj i pyetëm sa janë të gatshëm të paguajnë për të blerë një shtëpi ose apartament. Përgjigjet varionin nga €40.000 deri në €75.000, që ishte edhe vlera më e lartë. Shumica tha ekzaktësisht €50.000.

Në shfletimet tona të përditshme në njoftimet e Gazetës kemi vënë re se shtëpitë në këtë rang çmimesh janë thuajse gjithmonë në pallate ekzistues. Mund të themi se pallat ekzistues është term i këmbyeshëm me pallat parafabrikat. Të gjithë ata që ngrenë veshët nga çmimi i ulët, i ulin sërish kur mësojnë për llojin e ndërtimit.

Ndjekësit tanë në Instagram shprehen se nuk do blinin një apartament në një pallat parafabrikat për disa arsye të justifikuara. Si godina, parafabrikatët janë të ftohtë në dimër dhe të nxehtë në verë, kanë lagështirë dhe si rrjedhim myk, nuk kanë ashensorë dhe janë të vjetër.

Çfarë janë

Këto pallate u implementuan në Tiranë gjatë viteve ’70 për të përballuar popullsinë në rritje. Ata ndërtohen me blloqe të prodhuara në fabrikë që asemblohen në vendin e ndërtimit si të ishin një lojë me formuese. Konsiderohen godina shumë rezistente, veçanërisht — sipas drejtorit të Institutit të Ndërtimit, Agron Hysenlli — parafabrikatët e ndërtuar pasi vitit 1978.

Pallatet parafabrikat nuk duhen nënvlerësuar. Së pari, nuk mund të injorojmë avantazhin e madh që përbën çmimi. Mund të themi se është e vështirë, në mos e pamundur që të gjendet një apartament në një pallat të ri në të njëjtën zonë me një pallat parafabrikat e të ketë të njëjtin çmim. Këto hyrje, edhe pse standarde, janë perfekte për çifte të rinj apo persona që mund të bëjnë pa ashensor.

Shtëpia juaj e parë

Në këtë rast na lejoni t’u vjedhim amerikanëve konceptin e “starter home” ose shtëpi e parë. Një hyrje në një pallat parafabrikat ka çmim relativisht të përballueshëm. Gjithë renovimet e nevojshme për të eleminuar luhatjet në temperaturë, lagështirën dhe elementë të tjerë të padëshirueshëm, gjithashtu nuk kushtojnë shumë. Me një investim minimal keni në duar një apartament të këndshëm në një pallat të sigurt që mund të jetë shtëpia juaj e parë.

Një çift i ri, për shembull, mund të jetojë në këtë apartament deri në momentin që vendos të zgjerojë familjen dhe i nevojitet një dhomë më tepër, ose ndihma e një ashensori. Pas kalimit në shtëpinë e dytë dhe përfundimtare, apartamenti në pallatin ekzistues mund të jepet me qera pa shumë mund, duke u shndërruar kështu në një investim afatgjatë.

Nga ana tjetër, një tjetër blerës mund të jetojë edhe më gjatë në pallat parafabrikat. Siç shkruajti një ndjekëse e Gazetës Çelësi, “do i shtrij këmbët sa kam jorganin.” Ndodh që jorgani mund të mbulojë vetëm një apartament të tillë dhe kjo nuk është diçka negative.

Si përfundim, pallatet parafabrikat nuk duhen nënvlerësuar. Janë të përballueshëm, të rinovueshëm, të sigurt dhe transparentë; atyre ua dimë të mirat dhe të këqijat, e dimë ç’na pret dhe ç’duhet të bëjmë. Tani që dini diçka më shumë, a do blinit një apartament në një pallat parafabrikat?