Çdo ditë, në Instagram e Facebook na shkruajnë të paktën dhjetëra ndjekës dhe lexues në kërkim të një shtëpie me qera, “mundësisht nën 200 mijë lekë, në zonë të mirë.” Pavarësisht se portali ka me qindra njoftime e qindra mijëra shtëpi të lira me qera, shumë njerëz mendojnë se operatorët tanë do të bëjnë të pamundurën realitet dhe do të arrijnë të gjejnë një shtëpi kaq të lirë, në një zonë kaq të mirë, në fund të vitit 2021…

Sipas Monitor, kërkesa për shtëpi të shtrenjta mund të ketë rënë, por qeratë janë ngritur. Që prej tërmetit të 26 nëntorit dhe ristabilizimit pas pandemisë, çmimet e qerave janë rritur, jo vetëm në zonat e preferuara, pranë qendrës e Liqenit Artificial, por edhe në përiferi të kryeqytetit. Për shembull, zona e Astirit, që para vitit 2019 konsiderohej si një vend i lirë për të jetuar, është shndërruar në një tjetër zonë të thjeshtë e të shtrenjtë të Tiranës. Mund të gjenden ende shtëpi dhe apartamente të përballueshme, por që rrotullohen rreth €300. 

Recepsionistet e Gazetës Çelësi nuk shprehen optimiste kur përmendet togfjalëshi “qera të përballueshme.” Sidoqoftë, me informacionet e tyre, me të dhënat e grumbulluara nga njoftimet në portalin tonë online dhe me gërmimet e thella në faqet e agjencive kryesore imobilare në Shqipëri, përpiluam këtë listë.

Këto janë zonat me qera të përballueshme (të paktën deri më sot):

Zona të zhvilluara

Fresku

Relativisht i përballueshëm, Fresku është në të njëjtin nivel si Astiri kur vjen puna te çmimet e qerave, por ka një avantazh të madh: afërsinë me Dajtin. Në Fresk mund të gjendet lehtësisht një apartament 1+1 apo edhe 2+1 nën 30.000 lekë/muaj.

Yzberishti dhe Kombinati

E mira e këtyre zonave të Tiranës qëndron në faktin se me pak lekë shtesë mund të merrni me qera shtëpi dhe apartamente të mobiluara me shije, në gjendje të shkëlqyer e jo shumë larg Rrugës së Kavajës, Astirit apo Selitës. Nëse jetën e keni ndërtuar në këtë pellg të Tiranës, Yzberishti veçanërisht është një zgjedhje me mend.

Zona në zhvillim e sipër

Fundi i Bulevardit të Ri

Fundi i Bulevardit të Ri dhe zonat rreth e rrotull pa kaluar Lumin e Tiranës, janë ende konsiderueshëm lirë. Kjo hapësirë e Tiranës pritet të zhvillohet më tej, të pësojë rritje në çmime qeraje e shitjeje si rrjedhim i ndërtimit të Bulevardit, shpërnguljes së disa institucioneve shtetërore aty pranë dhe ndërtimit të Unazës së Madhe. Kjo zonë është për të duruarit, pasi do të duhet pak kohë deri sa të marrë formë.

Shkozë

Shkoza është e freskët në këtë listë. Së fundi kanë nisur ndërtimet e komplekseve të mëdha rezidenciale dhe po së fundi është ndërtuar rruga e re (Unaza e Madhe) që e lidh Shkozën zonat rretheqark dhe metropolin. Vetëm se mund të jetë e vështirë të gjeni një apartament me qera në Shkozë tani pranë pasi ndërtimet janë ende në fillimet e tyre dhe do të duhen disa vite deri kur të ketë tepri.

Kini parasysh

Kudo në Tiranë mund të gjeni shtëpi të përballueshme, por do t’ju duhet të sakrifikoni diçka tjetër; afërsinë me shkollën e fëmijëve, transportin publik, gjendjen e mobilimit, furnizimin me ujë gjatë gjithë ditës, lagjen e mirë apo diçka tjetër që ndoshta s’e vlerësoni deri sa të mos e keni. E njëjta gjë vlen edhe me zonat e lartpërmendura. Edhe aty sakrifikoni diçka. Varet nga rrethanat çfarë, por është e sigurt që nuk po sakrifikoni lekë.