Sipas Phillip J. Müller, autor bestseller dhe milioner, e vetmja gjë që ju pengon për t’u bërë milioner është perceptimi juaj mbi çfarë do të thotë të jesh i tillë. Në librin e tij, Geldrichtig, Müller shpjegon se kushdo mund të bëhet i pasur, për sa kohë mendon si një i tillë.

Filmat dhe skemat e pasurimit të shpejtë i kanë bërë njerëzit të besojnë se të pasurit s’bëjnë asgjë veçse shpenzojnë dhe se janë të pasur prej fatit ose famës. Realiteti, sipas Müller, është krejt e kundërta.

Të bëhesh milioner do të thotë të përvetësosh mentalitetin e konsumatorit të vetëdijshëm: të mendohesh nëse e do vërtet atë që po blen, nëse të nevojitet, nëse ka një alternativë më të lirë.

Kursimi, shmangia e huave, kontrollimi i impulseve – këto janë vetëm disa nga hapat që duhet të merrni për të përvetësuar mentalitetin.

Këto janë këshillat që Müller dha për GQ Germany.

Kursimi është thelbësor

Müller rekomandon të kursehet në momentin e parë dhe ta aplikohet rregullisht. Beteja ndodh mes kënaqësisë afatshkurtër dhe përmbushjes afatgjatë. Si fillim, do ta keni të vështirë të kuptoni se mund të kurseni në çdo moment. Për shembull, Müller është kundër të ngrënave në restorante.

“Njerëzit s’e kuptojnë sa mund të kursejnë nëse e sjellin drekën nga shtëpia në zyrë,” tha ai. Një kafe në bar mund t’ju kushtojë disa herë më shumë se një kafe në shtëpi. Ky është mentaliteti që duhet përvetësuar. Gjithashtu, Müller këshillon të rishikohen abonimet online si Netflix apo Spotify.

Shmangni huatë

Gjithçka që keni mësuar për kursimet duhen aplikuar edhe në këtë sferë. Mos blini asgjë që s’e përballoni dot. Ky truk i vogël do ju ndihmojë të shmangni blerjet impulsive.

“Do një telefon të ri, po s’e përballon dot? Atëherë mos e bli,” shpjegoi Müller.

Shumica e njerëzve grumbullojnë hua ngaqë krijojnë varësi ndaj ndjesisë së kënaqësisë që përjetojnë pas një blerjeje.

“Mbani një shënim në kuletë që shkruan ‘a më duhet vërtet?’ Me kalimin e kohës do ta pyesni veten pa e vënë re dhe s’do ju nevojitet më një shënim,” tha Müller.

Nëse keni hua, mos i injoroni

Para se të kërkoni një zgjidhje të thjeshtë për të paguar gjithë huatë, merrni një moment të analizoni situatën. Vetëm kështu nuk do të përsërisni gabimet e të kaluarës.

Müller këshillon të shkruani gjithë huatë që keni. Pastaj nxirrni një shifër, të cilën mendoni se jeni të aftë ta pauani çdo muaj. Me këto dy vlera llogarisni sa kohë do ju nevojitet për të shlyer gjithçka.

Në dallim nga shumica, Müller këshillon të kurseni para se të paguani huatë.

“Duhet të mendoni si një njeri i pasur. Pasuria juaj, sado qoftë, rritet duke kursyer.”

Shmangni simbolet e statusit

Kur imagjinoni një milioner, me shumë mundësi imagjinoni dikë që po nget një makinë të shtrenjtë, dikë me një orë që kushton më shumë se një shtëpi. Këto simbole s’kanë të bëjnë me mentalitetin e një milioneri. Siguria financiare arrihet duke konsumuar me vetëdije, jo duke shpenzuar pa shkak.

Kini vetëkontroll dhe ruajuni nga tundimi

Tundimi varion nga personi në person. Nëse nuk e kontrolloni dot veten gjatë periudhave të uljeve, mos kaloni pranë dyqaneve. Nëse e meta juaj janë blerjet online, përdorni aplikacione specifike për të bllokuar aksesin në dyqanet online.

Kërkoni alternativa për të zgjidhjet impulsive që ju propozon tundimi.