Gjithë gjërat që duhet të kontrolloni kur merrni një apartament me qera

Një shtëpi me qera është pak a shumë si një makinë e përdorur. Dikush tjetër e ka pasur në zotërim para jush. Nëse e kanë mbajtur mirë a jo s’dallohet gjithmonë me lehtësi. Një inspektim i hapësirës siguron se po merrni atë për të cilën po paguani. 

Inspektimi duhet të ndodhë para se të firmosni kontratën. Ky veprim, jo vetëm që mundëson që prona të rregullohet dhe përmirësohet sipas dëshirave tuaja, por edhe siguron që pronari të mos aludojë dëme të paqena nga ana juaj kur të vijë momenti për t’u shpërngulur.

Tani që jemi në të njëjtën faqe, këto janë zonat që duhet të inspektoni kur të shihni për herë të parë apartamentin apo shtëpinë e ardhshme:

  1. Në përgjithësi
  2. Tualeti
  3. Dhoma e gjumit
  4. Kuzhina
  5. Godina

Në përgjithësi

Muret

Kontrolloni nëse kanë të çara, të krisura apo shenja lagështire, sidomos pranë burimeve të ujit e dritareve. Nëse vini re vrima gozhdash nga pikturat, vijani në dukje qiradhënësit që janë ekzistente në momentin e inspektimit. Gjithashtu kontrolloni bojën e mureve që duhet të jetë profesionale, pa rrjedhje dhe krisje. Të gjitha këto vlejnë dhe për tavanin.

Prizat

Sigurohuni që të gjitha prizat në apartament funksionojnë. Mbani me vete një dritë të vogël nate dhe vendoseni në çdo prizë për t’i provuar. Kontrolloni në prizat kanë shenja djegieje rreth e rrotull dhe në mbajnë erë. 

Kabllot 

Kabllot, fibrat dhe lidhjet e internetit duhet të jenë të gjitha në gjendje të mirë. Nëse apartamenti ka satelit, kontrolloni në punon si duhet.

Dritat

Të gjitha dritat duhet të punojnë. Nëse një llambë është e djegur, kërkoni zëvendësimin e saj, veçanërisht nëse ndodhet në një abazhur të vështirë për t’u menaxhuar e të lartë. 

Grilat

Inspektoni grilat dhe sigurohuni që s’janë të dëmtuara. Hapini dhe mbyllini për t’u siguruar që punojnë si duhet.

Dritaret dhe dyert

Kontrolloni nëse dyert mbyllen lehtësisht dhe nëse kyçen. E njëjta gjë vlen dhe për dritaret. Asnjë apartament nuk duhet të ketë dritare që nuk kyçen.

Dyshemeja

Inspektoni mirë dyshemenë, qoftë pllaka ose parket. Tregohuni të vëmendshëm ndaj dëmtimeve dhe vini në dijeni qiradhënësin.

Pastërtia

Teksa vizitoni pronën, hidhni një sy rreth e rrotull për të parë nëse ka insekte, buburreca ose minj. Apartamenti duhet të krijojë idenë e pastërtisë. Ata që duken të pastër, zakonisht janë. 

 

Në tualet

WC-ja

Shkarkojeni dhe sigurohuni që punon. WC-ja duhet të rimbushet me shpejtësi dhe në lartësinë e duhur. Tregoni kujdes për zonën ku takon dyshemenë; duhet të jetë e pastër dhe pa krisje.

Lavamani

Hapni të gjithë rubinetët dhe kontrolloni presionin e ujit. Vini re sa kohë i duhet ujit të ngrohet dhe të ftohet. Sigurohuni që nuk pikojnë as rubinetat, as tubot nën të. 

Dushi

Lëreni ujin të rrjedhë dhe sigurohuni që ngrohet mjaftueshëm shpejt. Vini re qartësinë e ujit dhe a krijohet një pellg në vaskë a në pllakën e dushit për të parë në tubacionet janë të bllokuara.

 

Në dhomën e gjumit

Dritaret

I përmendëm njëherë dritaret, por kanë dyfish rëndësi në dhomën e gjumit. Kaloni duart gjatë perimetrit të dritareve për të parë nëse lejojnë ajrin të hyjë. Ky lloj qarkullimi do shkaktojë netë të ftohta dhe shpenzim për ngrohjen me kondicioner. Kontrolloni në mbyllen mirë për të fjetur të qetë.

Garderoba 

Kontrolloni për dëme të përgjithshme dhe stabilitet raftesh e shufrash mbajtëse. Kontrolloni në është i infestuar me insekte të vogla dhe a hapen e mbyllen kanatat me lehtësi.

Krevati

Në apartamentet e mobiluar, krevati duhet parë me shumë vëmendje për dëmtime, krisje, vida të liruara dhe insekte. Nëse dysheku ka njolla me ngjyrë, kërkoni të ndërrohet me një të ri. 

 

Në kuzhinë

Furra dhe soba

Ndizni sobën dhe llogaritni sa kohë i duhet për t’u ngrohur plotësisht. Kontrolloni secilën vatër në punon apo jo. Sobat me gaz kërkojnë më shumë vëmendje. Pasi t’i provoni, qendroni dhe pak momente për të parë a ndjeni era gaz. Hapni dhe mbyllni derën e furrës për t’u siguruar që nuk lejon kalimin e ajrit. 

Lavapjati 

Hapni rubinetin dhe kontrolloni presionin e ujit. Kontrolloni poshtë lavapjatit për lagështirë dhe dëme të shkaktuara nga lagështira. 

Frigoriferi

Kaloni dorën në perimetrin e derës për të parë në goma izoluese e mbyll plotësisht derën. Sigurohuni që ngrirja është e ftohtë mjaftueshëm dhe që dritat ndizen. Fatkeqësisht nuk e shihni dot në fiken. 

Kabinetet, sirtarët dhe banaku.

Hapni dhe mbyllni çdo gjë që mund të hapet dhe mbyllet. Asnjë kabinet apo sirtar nuk duhet të bëjë zhurmë. Menteshat duhet të mbajnë gjithë peshën që iu takon.

 

Në godinë

Automati

Automati nuk duhet të ketë shenja ndëhyrjeje të jashtme. Gjithashtu çelësat duhet të jenë të etiketuar, në rast se do t’ju duhet të fikni diçka specifike gjatë kohës suaj në apartament.

Dyert e jashtme

Mos harroni të kontrolloni dyert e jashtme për hapësira që lejojnë ajrin të hyjë brenda. Në të kundërt përgatituni për një faturë të lartë energjie elektrike. Gjithashtu, kontrolloni syrin magjik. Është një nga detajet që neglizhohet më së shumti.

Dhe së fundi, për çdo rast, mbani një video të apartamentit apo shtëpisë realizuar gjatë momentit të inspektimit. Ose, në rast se janë bërë riparime që nga inspektimi, filmoni apartamentin ditën e parë që jetoni në të.

Paçi fat.