Kur mendoni garsoniere, jemi të bindur që nuk ju vjen ndërmend një apartament i bollshëm, plot me dritë, me dekor të jashtëzakonshëm dhe ndarje të qarta ambientesh. Natyrisht, një garsoniere është një vend jetese i përkohshëm. Keq e keq, ngushtë e ngushtë deri sa të mund të përballohet një vend më i mirë. S’ka nevojë të lërë mbresa, apo jo?

Në fakt, ne nuk mendojmë kështu. Duke qenë se çmimet e apartamenteve me qera janë gjithnjë në rritje, garsonieret kanë mbetur alternativa e fundit për studentët apo të rinjtë që nuk kanë mundësi financiare. Edhe për çiftet e rinj, garsonieret mund të jenë një mënyrë për të kursyer të ardhura e për të blerë një shtëpi në të ardhmen e afërt. Problemi i vetëm qëndron në faktin se garsonieret në Shqipëri janë shumë larg imazhit që shohim në internet.

Kjo është një garsoniere:

Edhe kjo:

Edhe kjo:

Garsonieret tona nuk duken kështu, por munden. Si-në do jua tregojmë ne.

Krijimi i zonave

Duke qenë se kemi të bëjmë me një dhomë të madhe që shërben si dy ose tre, duhet të krijojmë iluzionin e ndarjes së hapësirës për ta bërë garsonieren të duket si një apartament 1+1. Ka plot mënyra për të ndarë një dhomë, të cilat po i rreshtojmë më poshtë.

Ndarja me rafte librash

Një raft librash i lartë krijon idenë e një muri midis krevatit dhe sallonit. Dekorojeni raftin me libra, bimë dhe sende të tjera të vockla për të tërhequr shikimin dhe për ta bërë dhomën më interesante. Nëse mundeni, gjeni një raft që është i hapur nga të dy anët për të pasur akses edhe nga divani edhe nga krevati dhe veçanërisht për të lejuar kalimin e dritës.

Ndarja me qilima

Edhe qilimat bëjnë një punë të shkëlqyer në ndarjen e hapësirës. Vendosni një qilim të madh në zonën e ndenjies dhe automatikisht diferencohet nga krevati. Për më tepër, qilimat i falin ngrohtësi dhe teksturë një apartamenti. Në të njëjtën mënyrë, veprat e artit bëjnë dallimin e një hapësire nga një tjetra.

Një krevat i ngritur

Nëse s’keni frikë nga rënia dhe s’bezdiseni nga shkallët, një krevat i ngritur do ju zgjidhë shumicën e problemeve: kursen hapësirë dhe ju fal privatësi. Nuk është nevoja të ngrini krevatin deri në afërsi të tavanit. Edhe një strukturë e lartë një metër a një metër e pak mbi të cilin vini krevatin ju shërben së pari për të ndarë hapësirën e së dyti për të magazinuar gjithë sendet tuaja. Në këtë version, krevati i ngritur lejon hapësirë për ndërtimin e një garderobe të plotë.

Perde

Nëpërmjet perdeve mund të fshihni një qoshk të garsonieres suaj. Mund t’i përdorni për të krijuar “një dhomë gjumi” ose për të fshehur rafte të rrëmujshme e të paorganizuar. Për më tepër, tekstura e pëlhurës e përmirëson gjithmonë dekorin.

Mobilje shumëfunksionale

Nëse gjeni një krevat me hapësirë magazinimi ose që shndërrohet në një divan, mos e mendoni dy herë. Nëse zotëroni një tavolinë që paloset pas murit kur nuk e përdor, aq më mirë. Gjejini të paktën dy punë çdo orendie që fusni në shtëpi.

Qoshka

Hidhini një sy hapësirës me të cilën po punoni. Disa garsoniere kanë qoshka ose anekse që mund t’i përdorni me zgjuarsi për t’i dhënë vetes më shumë hapësirë. Zakonisht, në këto qoshka vendoset krevati, pasi struktura lejon krijimin e një dhome gjumi. Pjesa tjetër e garsonieres mund të jetë një sallon i mirëfilltë dhe vendin që do të zinte krevati mund ta përdorni për të krijuar një zonë studimi.

Të tjera

Teksa mendoni për mobilimin e garsonieres suaj, kini parasysh edhe këto detaje.

  • Cila është veprimtaria juaj kryesore në shtëpi: të punoni, të qetësoheni apo të flini?
  • Piketoni nga buron drita. Doni që drita të bjerë në krevat apo në divan?
  • Çfarë palete ngjyrash do e bënte hapësirën më të këndshme për të jetuar?
  • Analizoni nëse një krevat i ngritur do ju ndihmonte

Këto këshilla do ju vlejnë njësoj, edhe nëse jepni një garsoniere me qera, edhe nëse merrni një të tillë. Mobiloni me kujdes dhe dashuri ndaj ambientit dhe rezultati do të jetë mëse i kënaqshëm.