Si grumbullues të informacionit, ne e dimë më mirë se kushdo sa vende të lira pune, sa staf kërkohet e sa boshllëqe ka në tregun e punës. Me dhjetëra, me qindra njoftime punë në ditë. Me dhjetëra, me qindra intervista pune. Shumë prej jush mund të jenë studentë që punojnë për herë të parë ose profesionistë që po tranzicionohen në një tjetër punë. Edhe nëse intervistoheni për herë të parë, edhe nëse intervistoheni për herë të disatë, rregullat e mëposhtme do t’ju vlejnë gjithmonë.

Si fillim, sigurohuni të jeni në kohë. Përpikëria ka rëndësi maksimale. Vishuni thjesht dhe pastër dhe përpiquni të eleminoni ankthin. Nuk mund të jeni versioni më i mirë i vetes kur ndiheni në siklet. Pasi të mbuloni bazat, ju mbetet vetëm t’u përgjigjeni sinqerisht pyetjeve të rekrutuesit ose punëdhënësit.

Sa sinqerisht?

Jean Giraudoux thotë se “sekreti i suksesit është sinqeriteti,” por e pason me “kur të fabrikosh sinqeritetin, atëherë ia ke dalë në jetë.” Kështu që, le të flasim për frazat që nuk duhen thënë kurrë në një intervistë pune, sado të sinqertë ta konsideroni veten. 

“Sekreti i suksesit wshtw sinqeriteti. Kur tw fabrikosh sinqeritetin, atwherw ia ke dalw nw jetw.” — Jean Giraudoux

Lista

  1. Mos thoni kurrë se s’ju intereson shumë pozicioni i punës, por aplikuat se keni nevojë të punoni.

“Duhet të punoj se më duhen të ardhura. Pashë që ju po merrni në punë”

Të gjithë punojnë për të ardhura. E thënë troç, një rekrutues mund të gjejë mijëra kandidatë që do ta zinin pozicionin vetëm në këmbim të pagesës. Por kompanisë nuk i duhet kjo; i duhet një person i dedikuar, që në mos pasion, ka interes, ka një lidhje emocionale, ka dëshirë të sinqertë për të punuar me ta. Fundja, këta janë punonjësit më të mirë. Kur punonjësi është i lumtur, kompania është dhjetëfish më e lumtur.

  1. Mos u fokusoni shumë në aspektin financiar

“Sa është rroga, a ka bonuse dhe sa ditë leje më takojnë në vit?”

Paga dhe përfitimet e tjera duhen diskutuar, por nuk duhet të konsumojnë mazhorancën e bisedës dhe as fillimin e saj. Preferohet që këto informacione të diskutohen në fund të intervistës dhe të mos mbesë gjë pa thënë. Përpiquni të fokusoheni në aspekte të tjera me rëndësi si përgjegjësitë, pritshmëritë, trajektorja e rritjes suaj profesionale në afatshkurtër dhe afatgjatë. Kandidatët që pyesin për rrogën në fillim të intervistës e dhjetë minuta më vonë ndërpresin rekrutuesin për të mësuar për bonuset nuk shihen si profesionistë të dedikuar e me perspektivë në kompani.

  1. Mos i jepni bisedës karakter personal

“Sa paguhesh ti?”

E njëjta gjë vlen edhe për intervistuesin. Pyetjet personale nuk janë normale në një intervistë pune. Madje janë mëse të pavenda dhe në disa raste mund të shkelin ligjin kundër diskriminimit në punë. Biseda duhet të jetë vetëm profesionale. Mund të flisni për detyrat, rezultatet, stafin, kompaninë, përvojën tuaj, edhe për pagën tuaj të ardhshme mund të flisni. Për gjithçka tjetër, jo.

  1. Mos përdorni telefonin

“Më fal se po më merr mami. Alo?”

Në rradhë të parë, telefoni duhej fikur që në fillim të intervistës. Ama, nëse keni harruar dhe ju telefonon dikush, kërkoni ndjesë dhe mbylleni. Telefonata mund të presë për përfundimin e intervistës. Gjithashtu, celulari apo pajisje të tjera elektronike nuk duhet të përdoren kategorikisht gjatë intervistës.

  1. Mos shani kurrë punëdhënësin e mëparshëm

“Punëdhënësi i mëparshëm na paguante me vonesë.”

Mund të jeni duke thënë të vërtetën, por s’do t’ju bëjë asnjë të mirë. Edhe punëdhënësi i ardhshëm do të kthehet në një punëdhënës të mëparshëm një ditë. Praktikisht po i thoni se edhe për ta do flisni keq kur të piqen kushtet. Hirësia dhe fisnikëria do t’ju ndihmojnë më shumë se e vërteta në këtë situatë.

  1. Mos e shisni veten shumë shtrenjtë

“Mangësia ime më e madhe? Jam aq i dhënë pas punës sa s’më del koha të ha.”

Kini gjithmonë parasysh se intervistuesi juaj është njeri si gjithë të tjerët. Edhe ai ka qenë një herë në pozitën tuaj. Edhe ai i është përgjigjur pyetjeve të vështira “pse do të punosh me ne” dhe “cila është mangësia juaj më e madhe.” Thuajse të gjithë duhet të punojmë, pavarësisht dëshirës. Tregohuni të thjeshtë. Cila ishte arsyeja që aplikuat për pozicionin? Keni dëgjuar fjalë të mira për kompaninë? Ju intereson ajo linjë pune? Jeni të dhënë pas asaj fushe? Për sa i përket mangësieve, përpiquni të gjeni një tipar që është edhe mangësi edhe virtyt, por mos anoni kurrë më shumë nga njëra anë se nga tjetra. Në mendjen tuaj ju po i bini në sy rekrutuesit, por në fakt dukeni qesharakë dhe të vetëqendërzuar.

  1. Mos e nxitoni kurrë procesin

“Mund ta mbyllim herët se kam plane pas kësaj”

Kjo frazë tregon që jo vetëm s’jeni planifikues të mirë të kohës, por edhe që pozicioni për të cilin po aplikoni s’ka shumë rëndësi për ju. Aq më keq nëse ia bëni të ditur rekrutuesit që keni një intervistë tjetër pas kësaj. Sërish, hirësia do t’ju ndihmojë shumë, jo vetëm gjatë procesit të punëmarrjes, por kudo në jetë.

Sidoqoftë 

Lista e mësipërme ju vlen në çdo lloj rrethane, por sidomos për profesionet që kërkojnë edukim, aftësi dhe njohuri specifike. Nëse bëhet fjalë për pozicione pune në industrinë e shërbimit, zakonisht, procesi i intervistimit nuk është kaq rigoroz. Do t’ju nevojitet një dozë e mirë entuziasmi, ambicieje dhe mirësjelljeje. 

Nëse jeni në kërkim të një pune të parë ose të re, Gazeta Çelësi mirëpret me qindra në ditë. Klikoni këtu për të parë njoftimet e punës. Aplikoni dhe kini në mendje ç’lexuat këtu sot.