Gjatë këtij një muaji që klikoj dhe shfletoj disa orë të mira në ditë njoftimet në Gazetën Çelësi kam vënë re diçka: shumë pak shtëpi janë të kopsitura dhe praktike. Në njoftimet me foto – që jo gjithmonë janë realizuar në ditët më të mira të pronës – zbardhen probleme madhore në organizim dhe planifikim të hapësirës. Ky faj i takon pjesërisht ndërtuesit dhe pjesërisht blerësit. Ndërtuesit gabojnë… në ndërtim natyrisht. Mjafton të ideohet salloni, dhoma e fjetjes dhe banja. Puna e tyre përfundon aty, si të mos kenë jetuar ndonjëherë vetë në një shtëpi. Ndërsa blerësi gabon duke mos imagjinuar përtej asaj që i ofron një apartament bosh. Pa u zgjatur më tej, ja çfarë vura re këtë muaj duke shfletuar me qindra apartamente në Shqipëri.

Shpërdorimi i hapësirës

E di që një sallon, një banjë dhe një dhomë gjumi duket sikur mjafton, por në fakt nuk mjafton kurrë. Aq më pak kur ndarja e hapësirave nuk bëhet në mënyrën me efektive. Po t’i shihni me vëmendje apartamentet që dalin në shitje, korridori është tejet i gjatë dhe i panevojshëm, banja është gjigande pa shkak dhe mund të aksesohet vetëm përmes dhomës së gjumit. Natyrisht, tipare që mund të injorohen për sa kohë merrni me qera, por kur të jeni gati për të blerë shtohen si minuse në listën tuaj.

Shiheni gjithmonë me vëmendje mënyrën si janë ndarë hapësirat në apartamentin tuaj të ardhshëm. Pyesni veten: A është praktike? A shfrytëzohet burimi i dritës? A qarkullon ajri? A më përshtatet apartamenti apo duhet t’i përshtatem unë?

Mungesa e magazinimit

Çfarë nxiti këtë artikull ishte një shtëpi që vuante për hapësirë magazinimi. Kudo që hidhje sytë mund të shihje rroba, sende, pajisje që qartazi nuk ishin në vendin e tyre thjesht sepse s’kanë një vend tyrin. Sado e vogël të jetë një shtëpi, nëse organizohet mirë mund të gjendet hapësirë për gjithçka.

Në këtë pikë bëni mirë të krijoni një ide të gjithë sendeve që zotëroni dhe për çfarë hapësire kanë nëvojë. Nëse jeni të dhënë pas gatimit, mendoni për gjithë pajisjet elektroshtëpiake, për zahiretë, për madhësinë e kuzhinës. Nëse keni shumë veshje dhe këpucë, mendoni për garderobën. Ndoshta një dollap i thjeshtë nuk pi ujë në rastin tuaj. Ku qëndrojnë valixhet? Ku e ka vendin kaloriferi gjatë verës? Po freskuesja gjatë dimrit? Po bredhi i Krishtlindjes? Këto pyetje nuk ju shkojnë ndërmend kur merrni shtëpi të re, por lindin kur paraqiteni me problemin. Paraprijini.

Banja, kova, tavolina e hekurit dhe fshesa me korent

Thuajse çdo banjë që është fotografuar dhe është në Gazetën Çelësi ka pasur një kovë dhe një shtupë në role protagoniste. Dhomat e gjumit vuajnë të njëjtin fat, me protagonistë tavolinën e hekurit. Shtëpia është oazi juaj: Në banjë kujdeseni për veten, në dhomën e gjumit çlodheni. Objekte të tilla, që janë të nevojshme, kjo është e pamohueshme, i prishin bukurinë shtëpisë dhe nuk e lejojnë të duket kurrë e pastër. Një kovë, një tavolinë hekuri në mes të dhomës krijojnë idenë sikur jeni ende duke larë e duke hekurosur. S’keni mbaruar akoma. S’keni për të mbaruar kurrë.

Zgjidhja nuk është ballkoni apo veranda. E di që ju shkoi ndërmend. Mendoni që në fillim hapësirën që do rezervoni për këto objekte. Kova, shtupa, fshesa, legeni, detergjentët dhe pajisje të tjera pastrimi nuk duhet të uzurpojnë shtëpinë tuaj. Tregojuni vendin.

Fëmijët e tanishëm dhe potencialë

Bëni më të mirën tuaj që fëmijët të kenë hapësirën e tyre. Një dhomë për secilin mund të jetë e pamundur, por një dhomë për të dy ose për të tre është e bëshme. Në shumë njoftime shtëpish në shitje ose me qera vihen re krevate fëmijësh pranë shtratit martesor, vihen re divane që përdoren si krevate, madje vihen re dhe krevate portativë. Si mund të ndihesh në shtëpi kur shtëpia s’ka vend për ty?

Në rast se s’jeni bërë ende me fëmijë, por keni shprehur dëshirën, paraprijini problemit. Një çifti të ri mund t’i duket joshës një apartament 1+1 tani, po pesë vite më vonë kur të jenë shtuar me një bebush a do të jetë njësoj ideal? Po pesëmbëdhjetë vite më vonë kur bebushi të jetë një adoleshent me kërkesat dhe nevojat e tij? Largpamësia s’do ju lërë kurrë në baltë.

Fjalë të fundit

Gjithmonë kini parasysh që një shtëpi ju shërben ju dhe jo anasjelltas. Duhet të akomodojë çdo nevojë (ose maksimumin) tuajën. Analizoni pasionet, aktivitetet, momentet që i japin gëzim jetës suaj. Nëse stërviteni në shtëpi, nëse ju pëlqejnë videolojërat, nëse ftoni miq çdo fundjavë. Të gjitha këto e të tjera duhet të influencojnë vendimin tuaj, duhet të influencojnë hapësirën e pronës, ndarjen e hapësirave, arredimin dhe dekorin. Kurdoherë mund të këshilloheni me një arkitekt, thjesht sigurohuni që i kupton dhe i vë në veprim dëshirat tuaja.