Artikulli jonë i fundit fokusohej tërësisht në punë ose zanate që mund të kryhen nga shtëpia po aq mirë sa mund të kryhen në një zyrë, punishte apo studio. Tejkaloi çdo shkrim tjetër në platformë. Ideja e të punuarit në shtëpi është tmerrsisht joshëse për publikun tonë. Por, jo të gjithë i marrin parasysh pasojat e këtij sistemi. Të mirat janë evidente deri diku, por anët negative argumentohen rrallë.

Prej Covid-19 shumica prej nesh e provuan punën nga shtëpia. Pasi gjëja e re u kthye në gjënë e vjetër, pamë qartazi kompleksitetin e të qenit në të njëjtin ambient gjithë ditën. Zgjohesh aty, punon aty, ndonjëherë ha drekë aty, rri aty, fle aty. E tepërt. E tepërt për disa. Për të tjerë ishte një çmimi i vogël për të shmangur trafikun, zgjimin herët, përgatitjen e drekës një ditë më përpara, zgjedhjen e rrobave dhe ndërveprimin me njerëz të tjerë.

Bekim

Puna nga shtëpia ka argument protagonist kursimin. Kursen së pari kohë sepse s’është nevoja të ecësh 30 minuta në vajtje e 30 në kthim. Dhe së dyti, kursen para s’është nevoja të furnizohesh me karburant aq shpesh apo të blesh diçka për të ngrënë. Nga perspektiva e bizneseve, punonjësit që zgjedhin shtëpinë nuk shpërqendrohen aq lehtësisht, kanë tendencën të mungojnë më pak dhe janë më produktivë e më të pavarur.

Mallkim

Nga ana tjetër, puna nga shtëpia të izolon dhe të limiton ndërveprimin me njerëz të tjerë. Mund të jetë e kushtueshme nëse punoni në kompjuterin tuaj personal ose keni nevojë për letër, bojë e kinkaleri të tjera. Dita e punës ka prirjen të zgjasë përtej orarit zyrtar dhe shtëpia nuk është gjithmonë oazi i qetësisë që imagjinoni. Për bizneset puna nga shtëpia mbart rrezikun e keqkuptimit, mos komunikimit dhe rënies së efiçencës.

Çfarë mendojnë punonjësit

Le të dëgjojmë nga ata që e provuan. Për këtë artikull u kërkova nga një deklaratë të shkurtër katër prej punonjësve të Çelësi Media Group mbi përvojën e tyre.

Stela, në një punë të mëparshme si Account Manager, punoi për një vit e gjysmë nga shtëpia. Ajo s’ka asnjë fjalë të mirë për të thënë për këtë periudhë të jetës së saj.

“Kam punuar nga shtëpia një vit e gjysmë prej pandemisë. Java e parë ishte e çuditshme dhe e lezetshme. Pastaj ishte vuajtje. Unë kam nevojë të flas me kolegët e mi. Asokohe më humibste informacioni dhe më dukej sikur punoja dyfishin e kohës. Lodhesha më shumë dhe harxhoja më shumë energji. Më dukej sikur puna s’bëhej mirë dhe e rishikoja dhe pas orarit zyrtar. Fillova të dyshoja te aftësitë e mia dhe të të tjerëve.”

Stela Hyso, Account Manager, Imedia

Altida, SEO Specialist për gjithë grupin Çelësi, mori maksimumin nga rrethanat e reja në të cilat u gjend. Por nuk zgjati shumë.  

“Kam punuar na shtëpia për tre muaj dhe e kam shijuar jashtë mase sepse punova në një shtëpizë në mal dhe gjatë kohës që punoja kisha plot hapësirë që të relaksohesha. Pastaj, kur nisi të më kapë monotonia, mora një zyrë.

Altida, SEO Specialist, Çelësi Media Group

Romina e kaloi këtë përvojë gjatë muajve të parë të pandemisë, si shumë prej nesh. Qëndrimi i saj është neutral, por tani që mund të japë një opinion të informuar, këshillon punën në zyrë.

“Unë e kam provuar punën nga shtëpia në periudhën e pandemisë dhe doja nuk doja, në shtëpi do rrija. Kam provuar dhe të mirat dhe të këqijat. Në mëngjes nuk duhej të zgjohesha një orë ose një orë e gjysmë më herët se niste dita e punës. Mund të gatuaja drekën lirisht. Për sa i përket anëve të këqija, zgjatej dita e punës përtej orarit zyrtar dhe duhet të luftosh me internetin, me telefonin, me aplikacionet për të komunikuar me kolegët.

Romina Vathi, Back Office Manager, Yellow Pages Albania

Për të tjerë, si Alteo, ia vlen barra qiranë sepse liria që përfiton ka peshë sa gjithë të mirat që të sjell një zyrë. Sidoqoftë, ai pranon se jo çdo lloj personaliteti mund ta ndërmarrë këtë hap. Nëse je mësuar me strukturë të qartë, me rregulla dhe rutinë të paracaktuar, liria e punës nga shtëpia nuk të bën mirë.

“Të punosh nga shtëpia është eksperiencë fantastike vetëm nëse ke vullnet për t’u ngritur para orës 10 nga krevati. Në të kundërt shpenzon më shumë kohë sesa do shpenzoje duke punuar nga zyra. Kjo thënë nga përvoja. Është zgjidhja perfekte për persona si puna ime të cilët kanë prioritet lirinë personale për të organizuar ditën sipas dëshirës. Por, duhet thënë se puna nga shtëpia mund të kthehet lehtësisht në problematikë nëse vërdallë ke diçka që të shpërqëndron, si për shembull një mace. Nëse detyrat e gjimnazit i bëje gjithmonë në kohë, mbase është opsion i mirë për ty. Nëse jo, as mos e provo.”

Alteo Caka, Webmaster

Në fund të fundit

Nëse jeni mësuar me strukturë të qartë, me rregulla dhe rutinë të paracaktuar, liria e punës nga shtëpia nuk ju bën mirë. Nëse keni disiplinë dhe ju motivon rezultati, s’ka rëndësi fare vendndodhja. Në rast se doni t’i jepni një shans punës nga shtëpia ose nëse jeni të bindur se bën për ju, hidhini një sy Comdata, e cila mundëson smartworking dhe ju pajis me gjithçka që ju nevojitet.