Edhe pse në zyrat e Çelësi Media Group u njoftua organizimi i Babagjyshit Sekret rreth tre javë më parë, thuajse të gjithë punonjësit i kanë bërë blerjet e tyre këto ditë. Ndoshta presioni i kohës na bën njerëz më produktivë, ndoshta s’kemi ide dhe afrimi i datës na detyron të ulim standardet. 

Për të gjithë ndjekësit tanë që gjenden në të njëjtin batak, vendosëm t’ju vijmë në ndihmë me këtë listë të shkurtër. Mund të jenë ide të thjeshta dhe të parashikueshme, por pikërisht një dhuratë e tillë ju duhet. Duke qenë se shumica e kompanive në Shqipëri zgjedhin një version të Babagjyshit Sekret ku as marrësi nuk e di çfarë do të marrë, as dhuruesi nuk e di kujt do t’ia dhurojë, idetë duhet medoemos të jenë universale, uniseks dhe të pëlqyeshme nga masa. 

Këto janë 15 idetë tona

Lule për zyrën

Siç shtjelluam në një tjetër artikull të ngjashëm, lulet u pëlqejnë të gjithëve. Janë një dhuratë e pagabueshme, aq më tepër nëse zgjidhni një lule të pavdekshme që nuk do as ujë, as dritë, as vëmendje për të zbukuruar zyrën.

Shishe vere

Zgjidhni një verë që kombinohet mirë me darkën e fundvitit. Një Riesling komplimenton edhe djathrat, edhe pjatat pikante, edhe mishin e gjelit të detit, edhe ëmbëlsirën. Një Syrah është perfekt për mishin e pjekur në furrë ose zgarë. Ose, për t’i thjeshtësuar punët, zgjidhni verën tuaj të preferuar. 

Arkë kursimesh

Nga kërkimi i djeshëm, zbuluam se një nga dhjetë synimet më popullore që vendosin njerëzit për vitin e ri është të kursejnë më shumë. Ndihmojini në këtë mision fisnik dhe të vështirë me një kuti kursimesh. Zgjidhni diçka elegante dhe bazike.

Poster në kornizë

Piketoni një copëz arti që konsiderohet gjerësisht si e bukur. Printoni profesionalish diçka nga Matisse, Monet ose artistë të tjerë të njohur dhe vendoseni në një kornizë. Marrësi mund ta vendosë në zyrë, nëse kjo lejohet, ose të dekorojë shtëpinë, në rast se i përshtatet me pjesën tjetër të arredimit. 

Axhendë cilësore

Shumica e kompanive dhurojnë axhenda në fillim të vitit, por një axhendë vërtet e mirë e mposht. Zgjidhni një version me kopertinë cilësore, me fletë të butë dhe seksione praktike. Edhe nëse s’i pëlqen marrësit, mund t’ia dhurojë dikujt tjetër lehtësisht.

Filxhan i veçantë

Klishe mund të thoni me të drejtë, por sa e gabuar është të bësh një dhuratë klishe? Për sa kohë zgjidhni një dizenjo të veçantë, një ngjyrë që s’është e rëndomtë, një markë ndoshta më prestigjoze, filxhani juaj nuk do përfshihet fare në të njëjtën kategori me gjithë filxhanët e tjerë që do bëhen pjesë e Babagjyshit Sekret.

Libër

Kjo ide mund t’u ketë ardhur në mend edhe ju. Ama, gjithçka ngec te pyetja “cilin titull?” Vendosini vetes disa limitime teksa kërkoni. Autorë shqiptarë apo të huaj? Fiction apo jo? Poezi apo jo? Deri në çfarë çmimi? Pasi t’u përgjigjeni këtyre pyetjeve drejtohuni në librarinë e zemrës dhe kërkoni ndihmën e stafit. Ata jua dinë hallin.

Kupon dhuratë

Çfarëdolloj kuponi të zgjidhni – masazh, trajtim të ndryshme, këmbim me produkte apo shërbime të tjera – sigurohuni vetëm të keni provuar vetë paraprakisht atë që po dhuroni. Kështu e dini që marrësi do të marrë një përvojë a një produkt që ia vlen.

Shall uniseks

Po të keni shëtitur nëpër dyqane këto kohë, do të keni vënë re se shallrat nuk kanë asnjë tipar identifikues gjinor. Mund t’i mbajë kolegu në zyrë, mund t’i mbajë mami, mund t’i mbajë mbesa 12-vjeçare. Për më tepër, shalli është një nga ata artikuj që gjithmonë nevojitet, po s’gjindet kurrë kur duhet.

Biletë udhëtimi

Para se të mendoni se janë të shtrenjta, vizitoni faqen e Wizz Air. Biletat për destinacione popullore Europiane nisin nga €30. Keni lirinë të zgjidhni datën dhe vendin. është në dorën e marrësit nëse e përdor apo jo.

Abonim në Netflix

Për këtë jemi të bindur se s’ju kishte shkuar mendja. Duke marrë parasysh se shumica përdor llogarinë e dikujt tjetër, jemi të bindur se do ta vlerësojnë një llogari tyren, ku mund të shohin çfarë të duan, kur të duan.

Asortiment me çokollata

Mund të tregoheni sa bujarë të doni. Mund të merrni një pako të gatshme në supermarket, mund të zgjidhni pralinat më të shtrenjta në pastiçerinë më të mirë në qytet. Në fund të fundit, çokollata mbetet çokollatë.

Shportë dhuratash

Dhurata klasike e festave. Nuk kërkon as mund, as imagjinatë. Mbetet e pëlqyeshme.

Tas qelqi për ushqimin

Ushqimi ka shije tjetër kur transportohet në qelq. Krijoni një set me një tas të madh dhe një të vogël për të marrë në punë dreka të balancuara dhe të shijshme.

Çajnik elektrik

E zëmë se dikush doni të pijë një çaj, por zyra ofron ujë të vakët në ditën më të mirë. Hyn në lojë çajniku elektrik. Relativisht i lirë, shumë praktik dhe i dobishëm për të gjithë.

Gjithsesi

Nëse keni ide të tjera ose nëse dhurata juaj për Babagjyshin Sekret s’ishte pjesë e kësaj liste, ju lutemi të na dërgoni idetë tuaja. Babagjyshi Sekret përsëritet çdo vit. Do na nevojiten.