Teksti i mëposhtëm është shkëputur nga një komunikim për punonjësit e Çelësi Media Group nga CEO Ylli Sula, rreth situatës së krijuar nga Coronavirus dhe karantinimi. Duke qenë se pamë vlerë në analizën dhe këshillat e mëposhtme, po i ndajmë me ju.


Përshëndetje të gjithëve,

Sot jemi vetëm në ditën e tretë të izolimit dhe kjo situatë pritet të zgjasë, duke sjellë çekuilibër, tronditje dhe përmbysje në përditshmëritë tona. Eshtë koha që krahas rrezikut të marrjes së sëmundjes dhe përballjes me të, të mendojmë dhe të përgatitemi për të përballuar edhe karantinimin e gjatë, edhe rikthimin sa më të shpejtë në ekuilibër e normalitet, kur e gjitha kjo të ketë përfunduar.

Ju ftoj të rikaloni në mendje ato që ndodhën vjet në periudhën mes dhe pas dy tërmeteve. Për këtë arsye, po ndaj me ju disa sugjerime të cilat, edhe nëse nuk janë të panjohura për shumëkënd nga ne, besoj fort që vlejnë për këdo, qoftë edhe si përsëritje, ndaj edhe po i shkruaj në vete të parë.

2 faktet më domethënës

  1. Nuk ka ende një kurë e as vaksinë të provuar kundër koronavirusit.
  2. Izolimi social dhe/ose karantinimi i plotë do zgjasin të paktën 2-3 javë.

Mjaft shkencëtarë dhe mjekë në vende si Anglia, Franca, Amerika etj, po konkludojnë gjithnjë e më shumë se karantinimi shërben vetëm për të ngadalësuar përhapjen e koronavirusit, me qëllim që të mos mbingarkohet dhe të mos kolapsojë sistemi dhe strukturat shëndetësore-spitalore. Mënyra më e mirë për t’u përballur me viruset është imunizimi prej tyre. Ai arrihet ose nëpërmjet antitrupave natyralë që prodhon sistemi ynë imunitar ose nëpërmjet vaksinimit.

Në këtë situatë, 2 janë armët e vetme që kemi në dispozicion:

  • sistemi imunitar i pamposhtshëm
  • gjendja e shkëlqyer mendore

Nëse duam të kemi një sistem imunitar të fortë dhe mekanizma efikas kundër koronavirusit, duhet t’i kushtojmë vëmendje:

  • Ushqimit: vitamina dhe minerale; mjaltë, agrume, boronica, vaj peshku, patate të ëmbla, brokoli, çokollatë të zezë, bajame, arra, spinaq, xhinxher, çaj mali, hudhra, speca gogozhare të kuq, vaj ulliri, shegë, kos pa yndyrë, thjerrëza dhe bishtajore të tjera. Duhet të pimë ujë mjaftueshëm dhe të shmangim yndyrnat dhe sidomos sheqernat.
  • Formës fizike – ushtrime edhe në kushte shtëpie
  • Gjumit : cilësia, kohëzgjatja e duhur, por ka shumë rëndësi ndjekja e orës biologjike: më mirë të flemë herët dhe të zgjohemi herët
  • Marrja e rrezeve te diellit

Fazat e virusit

Eksperienca e ditëve të fundit në lidhje me koronavirusin, e konfirmuar zyrtarisht nga autoritete shkencore kryesisht franceze konfirmojnë që infektimi nga koronavirusi kalon në disa faza. Fillimisht virusi vendoset në mukozën e hundës dhe fyt (4-5 ditë), duke dhënë thatësi në fyt e më tej kollë të thatë, më pas kalon në mushkëri duke dhënë temperaturë, ethe dhe në fund duke shkaktuar vështirësi në frymëmarrje për shkak të dëmtimit të funksioneve të mushkërisë. Kjo fazë e tretë mund të jetë fatale, prandaj duhet bërë gjithçka për ta ndalur në fazën e parë dhe të dytë.

Për fazën e parë, këshillohet që të konsumojmë disa herë gjatë ditës lëngje sa më të nxehta për fytin dhe 2 herë në ditë avuj të nxehtë për hundët. Rezulton që temperaturat e larta, pra lëngjet dhe avujt e nxehtë në mbi 50 gradë vrasin pjesën më të madhe të viruseve, duke shtyrë pjesën e mbetur drejt stomakut, ku lengu gastrik vret çfarë ka mbetur.

Për fazën e dytë, pra kur kemi temperaturë, këshillohet të përdoret vetëm paracetamol dhe jo antiinflamatorët e tjerë me bazë Ibuprofeni, aspirine, kortizoni e voltareni, pasi kanë rezultuar në rëndim të pasojave të këtij virusi.

Për fazën e tretë duhet patjetër siguruar krahas trajtimit edhe impiant oksigjeni për frymëmarrjen.

Këshilla për shëndetin mendor

Nëse duam të kemi gjithnjë gjendje mendore të shkëlqyer edhe në kushtet e mbylljes në shtëpi:

Mos e lëmë frikën të na kontrollojë! Në këto situata frika është reagim mbrojtës dhe si e tillë është normale, por nuk na mbron dhe nuk na ndihmon.

Si instinkt, frika nuk mundet me llogjikë, por vetem me veprim, ndaj, para pasqyrës i themi vetes: si do të veproja nëse nuk do ta kisha këtë frikë?

Ashtu veprojmë, simulojmë deri sa t’ia arrijmë. Mos harrojmë që frika dhe paniku dobesojnë sistemin tonë imunitar.

-Organizojmë dhe programojmë kohën duke i dhënë kuptim dhe vlerë asaj, duke respektuar orën biologjike dhe oraret si në një ditë pune. Kemi shumë më tepër gjëra se ç’mund të mendojmë për të mbushur axhendën e ditës sonë edhe duke qenë në shtëpi:

  • Bëj nga shtëpia gjithçka mundem në funksion të vendit të punes që kam
  • Lexoj një libër, jo më pak se 1 orë
  • Dëgjoj muzikë, luaj ndonjë instrument, këndoj e kërcej, jo më pak se 1 orë
  • Bëj ushtrime (mund të shkarkoj për këtë aplikacionin “Home workout”), 30-45 min
  • Ndjek një kurs on-line (për këdo të interesuar platforma e kurseve UniPro ofron 10 ditë falas), 30-60 min
  • Përzgjedh një film të mirë, 1.5-2 orë
  • Shkruaj, pikturoj, sistemoj fotot e familjes etj. 30-60 min
  • Gatuaj, 30-60 min
  • Kaloj kohë domethënëse të dedikuar bisedave dhe komunikimit me familjarët, 1 orë
  • Rezervoj një kohe interesimi dhe komunikimi për miqtë, shokët, kolegët dhe të afërmit e tjerë, 30-60 min
  • Jo më shumë se 2 herë në ditë informohem për situatën nëpërmjet mediave televizive ose portaleve, 30-60 min
  • Meditoj dhe bëj ushtrime frymëmarrjeje, 15-30 min
  • Duke përfituar nga ditët me diell, dal në ballkon, tarracë, oborr 30-45 min
  • Pastroj dhe sistemoj shtëpinë, garderobën, dokumentat, librat etj.
  • Kujdesem për estetikën vetjake
  • Luaj lojra familjare dhe sociale
  • Merrem me ndonjë hobi personal (unë p.sh, me bibliotekën dhe koleksionin e librave të vjetër)
  • I futem një hobi të ri apo vihem të mësoj një aftësi të re
  • Shfrytëzoj maksimalisht mundësinë për të punuar me veten për t’u pergatitur për rikthimin në punë. Shumëkush prej nesh shpesh ankohet që ngarkesa operacionale në punën e përditshme nuk na lënë kohën e mjaftueshme për të perfeksionuar aftësitë profesionale dhe zotëruar si duhet mjetet dhe sistemet që përdorim në punën tonë. Mos të lejojmë që kjo mundësi të na kalojë pa e shfrytëzuar!

Mund të vazhdoj gjatë kështu, por jam besimplotë se etja për dijen, vullneti i mirë dhe ndërgjegjia profesionale e gjitëhësecilit do ta bëjë këtë gjë shumë më mirë se unë.

Nëse e gjykoni të vlefshëm këtë material mund ta shpërndani kudo që ta shikoni të arsyeshme. Duke uruar sërish e duke patur bindjen e palëkundur që do të dime ta tejkalojmë me sukses këtë situatë, ju ftoj të mbetemi në kontakt e t’i qëndrojmë pranë njëri-tjetrit.

-Shkruar nga Ylli Sula, CEO i Çelësi Media Group