Je bërë prind prej kohësh apo ke pak kohë nuk ka rëndësi. Deri në momentet që ti ndikon dhe merresh me rritjen e fëmijës apo fëmijëve të tu e klasifikon qëndrimin dhe sjelljen tënde si prind kërkues, kontrollues, si dikush i dashur dhe i gatshëm për të plotësuar kërkesat apo si prind që merret rrallë me fëmijët?

Ekzistojnë disa tipe prindërish apo kategori të tilla si: autoritar. tolerues, me autoritet dhe pa përfshirje. Cilat janë të përbashkëtat dhe ndryshimet ndërmjet këtyre ndarjeve?

Prindërit autoritar janë ata që vendosin rregulla dhe mendojnë që nuk është e nevojshme t’i shpjegojnë ato dhe presin që fëmijët e tyre të binden pa asnjë lloj hezitimi. Ata vendosin vullnetin e tyre përmbi atë të fëmijëve dhe i ndëshkojnë me pak ngrohtësi apo mbështetje. Fëmijët e rritur nga këta prindër tregojnë vetëvlerësim të ulët, depresion dhe frikë nga situatat e reja.

Prindërit tolerant janë më të dashur dhe u përgjigjen emocionalisht fëmijëve të tyre, por janë të paaftë të vënë kufinj dhe të kontrollojnë sjelljet e fëmijëve. Fëmijët që rriten nga këta prindër janë impulsivë, të pabindur ndaj rregullave, nuk njohin kufij dhe kjo i çon drejt sjelljes agresive dhe në rrezik për të përdorur substanca të dëmshe ndërsa rriten.

Prindërit me autoritet u japin fëmijëve respekt dhe i dëgjojnë, presin që fëmijët të bëjnë të njëjtën gjë; i inkurajojnë të jenë mendimtarë të pavarur, por ata nuk dorëzohen para tyre dhe presin bashkëpunim dhe sjellje të mira. Fëmijët që rriten nga këta prindër janë më të shëndetshëm emocionalisht, kanë aftësi të mira sociale dhe janë më elastikë në sjellje; po ashtu kanë lidhje më të forta me prindërit e tyre.

Prindërit pa përfshirje janë ata që kanë më pak komunikim, mungesë përfshirjeje me fëmijët, pak ngrohtësi apo reagim emocional ndaj nevojave të tyre dhe mungesë vëmendjeje në disiplinim apo mbikëqyrje. Fëmijët që rriten nga këta lloj prindërish janë emocionalisht më të paekulibruar, përjetojnë ankth dhe kanë tendencë për sjellje të rrezikshme dhe kriminale, po ashtu abuzojnë dhe me substanca narkotike.