Silvia Pagni, një artiste plot frymëzim vjen në Tiranë. Ditën e diel, datë 11 Nëntor, ajo do të performojë përpara një publiku të përzgjedhur, në ambjentet e Muzeut Historik Kombëtar, ora 19:00. Të pranishëm në këtë event do të jenë 150 persona, të cilët do të kenë mundësinë të ndjejnë nga afër emocionet dhe frymëzimin që të jep muzika e vërtetë.

 

Info Kult në një intervistë plot risi zbulon të vërtetat e një rrugëtimi aspak të lehtë, por dinamik të një artisteje me pasione të veçanta për muzikën.

Si lindi dashuria për fizarmonikën?

Unë jam vajzë e rritur në një familje artistësh. Babai im ka qenë një person shumë i lidhur me muzikën, dhe unë i dedikohesha  për shumë orë instrumentit të tij të preferuar, pianos. Ai më detyronte të ushtrohesha 15 orë në ditë në piano. Mua më ka shërbyer si frymëzim Gorni Kramer dhe Pepino Principe, persona që kanë bërë histori në artin e performimit në fizarmonikë.

Unë i dëgjoja dhe kjo gjë më gjeneronte në shpirt një dëshirë të fshehur, por tunduese për të praktikuar fizarmonikën.

 

Kam shpenzuar orë të shumta duke praktikuar pianon, megjithëse dëshira më orientonte gjithmonë dhe më pranë fizarmonikës. Lidhja me pianon ishte diçka teknike që nuk më transmetonte aq shumë emocion dhe pasion sa fizarmonika.

Në moshën 15 vjeçare u regjistrova në konkursin “Fizarmonica D’oro”, aty ku performova live pa dijeninë e babait; isha regjistruar në konkurs fshehurazi atij. Mbas kësaj, babai nuk më foli për rreth një muaj. Ai më dyfishoi orët e punës duke më berë shpesh herë të ndihesha keq nga lodhja dhe orët e gjata të studimit. E kam urryer atëherë, tani e kuptoj sa më ka shërbyer ajo disiplinë pune.

Në moshën 19 vjeç, keni qenë drejtoreshë e Orkestrës Kombëtare të Santa Cecilia. Cilat janë eksperiencat e tjera profesionale që kanë lënë gjurmë tek ju?

Të drejtoja orkestrën ishte njëkohësisht përgjegjësi dhe privilegj për mua. Më pas u emërova pedagoge në shkollën e muzikës në Teramo. Në atë kohë mendoja se nuk isha gati për mësimdhënien dhe u regjistrova në “La Scala” për të ushtruar pianon. Tashmë kisha bërë të lumtur tim atë duke ju dedikuar instrumentit të tij të preferuar, pianos. Punova për 2 vjet dhe më pas mora një vendim; Doja të udhëtoja dhe të njihja botën!

Jam një person që udhëtoj shumë. Nëpërmjet udhëtimit njeriu kupton botën dhe unë si muzikante kam njohur magjinë e tingujve të ndryshëm. Dua të udhëtoj për të njohur shijet, ngjyrat, aromat, nga të cilat merr shpirt tingulli që i jep jetë muzikës.

Ju këndoni bukur. Kur e kuptuat se edhe ky ishte një pasion i juaji?

Kam qenë duke performuar në Tenerife për koncerte dhe krejt rastësisht takoj Luciano Rispoli. Pas shfaqjes Luciano Rispoli më takoi dhe më tha: “Ti do të kthehesh me mua në Itali”. Luciano Rispoli ka bërë historinë e Rai dhe kam qenë me fat që kam punuar me të tek ‘Tappeto volante’ për 5 vite.

Çfarë ju solli në Shqipëri?

Idenë për të ardhur në Shqipëri e kishte Massimo Vrena. Ai është një ndër personat që përcjell sinqeritet në këtë mënyrë edhe besim në fushën ku ai punon. Të gjesh një person të tillë në fushën tonë nuk është e lehtë. Pasi fola me Mediaset dhe vendosa se do t’i bëj në Shqipëri të dy videoklipet e mia, ideja e koncertit ishte diçka komplet shumë spontane. Jam e sigurt se, kur publiku t’i shikojë do të pëlqejë tramën dhe kostumet. Por, këtë le t’ia lemë publikut të thotë të vetën.

 

Çfarë do të dëgjojmë të performuar nga Silvia?!

Unë do të luaj pjesë që transmetojnë shumë gjallëri në zhanerin e swing, jazz dhe klasike. Tani që pashë Shqipërinë kam dëshirë të rikthehem me një shfaqje më komplekse në numrin e instrumentave që do të performojnë.

Ndërkohë Massimo Vrena do të sjellë në Shqipëri personazhe të tjera dhe pjesë të historisë së tyre. Në muajt prill-maj do të mbahet ekspozita për aktoren Anna Magnani, me foto të vendosua në dispozicion nga Cinecitta. Shumë surpriza do të vijnë në vazhdim…

 

Do të dëgjojmë për projekte të tjera në vazhdim?

Po ju tregoj dy nga projektet e mia imediate. E para është e lidhur më një produksion të Mediaset dhe Azzuro Records, të cilët janë duke regjistruar tre Christmas Songs, në njërin prej tyre do të performoj unë, dy artistët e tjerë do të jenë Patty Pravo dhe Pooh. Projekti tjetër do të jetë një produksion i Amy Records dhe Bobby Solo për 40 vitet e largimit nga jeta të Elvis Preslit.

 

Pyetja e fundit. Një artiste e kalibrit tuaj që ka udhëtuar botën, a do të veçonte një vend që i ka lënë më tepër gjurmë?

Nuk mund të veçoj dot asnjë sepse çdo moment për mua ka qenë i  magjishëm, më ka krijuar emocione pozitive dhe më ka bërë artisten dhe njeriun që jam sot.