Në ambientet e Muzeut Historik Kombëtar vazhdon ende ekspozimi për herë të parë i botimeve të huaja përgjatë këtyre 500 viteve shkruar për shqiptarët dhe Shqipërinë, pjesë e koleksionit privat të Ylli Sula. Ky koleksion përmban një sërë librash, hartash e gravurash të shekujve XV-XIX, të cilat vazhdojnë të jenë të ekspozuara këto ditë dhe të gjithë të apasionuarit pas historisë, albanologjisë e koleksioneve kanë mundësi t,i shohin sot dhe në ditët në vazhdim.

Ekspozita është çelur të hënën, më 22 tetor dhe do të qëndrojë e hapur deri më 30 tetor tek Muzeu Historik Kombëtar “Salla e ekspozitave”.

 

 

Ekspozimi i materialit është organizuar sipas temave dhe çdo botim shoqërohet me kartelën shpjeguese. Ekspozitorët me libra shoqërohen me printime ilustruese në formate të mëdha, në të cilat janë riprodhuar frontespicet e botimeve më me vlerë, pasazhet më domethënës mbi Skënderbeun, figurat e tjera të shquara, Shqipërinë, shqiptarët, gjuhën shqipe, gravura, etj.

Kjo ekspozitë do të ketë edhe një katalog, i cili përmban përshkrimet e botimeve sipas të gjitha parametrave të katalogimit të tyre, duke i grupuar sipas natyrës (libra, harta, revista, gravura dhe fotografi, dokumenta dhe dorëshkrime), sipas temës dhe rendit kronologjik të botimit. Katalogu do t’i vihet në dispozicion edhe Bibliotekës Kombëtare, me qëllim që specialistët e saj të verifikojnë dhe identifikojnë botimet, që nuk disponohen nga kjo e fundit. Ato do t’u vihen në dispozicion specialistëve të Bibliotekës Kombëtare për t’i dixhitalizuar, duke i përfshirë në fondin e saj dixhital. Në këtë mënyrë studiuesit e disiplinave të ndryshme, shkencore e historike, do të kenë mundësi për t’i trajtuar në studimet e tyre.