Ditën e djeshme janë mbajtur në Muzeun Historik Kombëtar kumtesa nga studiues të mirënjohur në kuadër të ekspozitës “Rrëfimet e një koleksioni albanologjik: Shqiptarët dhe Shqipëria nga Skënderbeu te Pavarësia.”

Kumtesat u mbajtën duke filluar nga ora 11:00 në mjediset e sallës “Unesco”, ku ishin të pranishëm studiues, të apasionuar pas albanologjisë, historisë, koleksionistë, pedagogë dhe shumë studentë të Fakultetit Histori-Filologji.

Kumtesa e parë e mbajtur ishte nga Aurel Plasari me temën “Skënderbe në dashurinë e një bibliofili”.

Kumtesa e radhës e mbajtur në këtë takim u bë nga Xhevat Lloshi “Visaret befasuese të një koleksioni të rrallë”.

Temat e trajtuara në vazhdim ishin: Pëllumb Xhufi “Epiri dhe Kosova në literaturën historike të shek. XV-XVIII”; Skënder Blakaj “Kontributi shqiptar i Papë Albanit, përfshirë kryeveprën “Illyricum”, dhe Skënderbeu”; Irakli Koçollari “Një epokë dhe një personazh që pruri në vëmendjen e Europës dhe më gjerë” dhe Dorian Koçi “Grand Tour – Udhëtime dhe zonjat angleze në Shqipëri.”

 

Në këto kumtesa u trajtuan me detaje dhe me hollësi pjesët më të rëndësishme të koleksionit të Ylli Sulës, sesi këta libra ndërthuren për të krijuar një panoramë të përgjithshme të studimeve historike në Shqipëri.

Ekspozita do të qëndrojë e hapur për publikun deri më datë 30 tetor 2018, në ambientet e sallës së madhe të ekspozitave të Muzeut Historik Kombëtar.