Përshtypja e parë që bëni te një punëdhënës i mundshëm varet nga aftësitë dhe përgatitja juaj, por ju duhet të jepni maksimumin edhe me një veshje të përshtatshme për intervistimin tuaj.

Ata që sot kanë një karrierë të suksesshme pranojnë se etika në takimin e parë është shumë e vlefshme, sidomos kur i referohemi veshjes. Përshtypja e parë që ju do të lini te personat që ju marrin në intervistë mbetet një provë shumë e fortë për të vendosur nëse do të kalosh në fazën tjetër të intervistës. Prezantimi i parë duhet faktikisht t’iu shtojë pikë ju dhe për këtë ju duhet të shmangni kontraditat e para që lidhen me sjelljen dhe pamjen e jashtme.

Mbani mend para se të shkoni në intervistime për punën tuaj disa këshilla që do t’ju duhen gjithmonë:

1-Mendoni mirë paraprakisht se çfarë do të vishni në ditën tuaj të intervistës.

2-Mos e ndryshoni stilin tuaj vetëm për një intervistë, përshtatuni me shijet tuaja.

3-Asnjëherë mos e teproni me veshjet, veçanërisht ato ekstravagante apo që nuk lejohen në një intervistë (përfshirë taka të larta, funde të shkurtër apo xhinse të grisura).

4-Mos e teproni me grimin dhe me modelet e flokëve.

5-Evitoni ngjyrat e ndezura, veçanërisht ato neone, me shkëlqim, xixa apo aksesorë.

Me pak fjalë mundohuni të qëndroni te stili klasik, me prerje e thjeshta dhe serioze. Po ashtu, ngjyrat neutrale, e zeze, e bardhe, nude, gri e bojeqielli (sidomos për këmishat) janë zgjedhjet më të mira që mund të bëni. Veshjet tuaja nuk nënkuptojnë që ju të dilni nga vetja dhe të sajoheni sikur i keni marrë borxh rrobat me xhaketa apo funde të gjata e të ngjani më keq se do të ishit me atlete e xhinse të grisura. Ideja është që ju të përshtatni një veshje elegante dhe fine, e njëkohësisht të mos bie aq shumë në sy. Këpucë të thjeshta të zeza e me lidhëse, pantallona prerje klasike dhe një këmishë e thjeshtë janë një zgjedhje që përshtatet me çdo aplikim që ju keni bërë.

Kini kujdes edhe ku po shkoni, lexoni paraprakisht diçka për kompaninë ku po shkoni për intervistë dhe referojuni pozicionit që po konkuroni. Ju nuk do të ishte mirë të visheshit edhe më serioz dhe ” i/e kollarisur” se vetë shefat apo drejtuesit e kompanisë.