Jo më larg se dy dekada më parë, marketingu dixhital ishte një koncept i panjohur në Shqipëri. Interneti vetë ishte në hapat e tij të parë, ndërkohë rrjetet sociale nuk ekzistonin akoma. MySpace nuk quhet 🙂

Marketingu dixhital, shpjeguar

Nëse nuk mund t’ja shpjegosh një 5-vjeçari, nuk e kupton as vetë. -Ajnshtajn

Marketingu dixhital është nga ato termat e vështirë për tu shpjeguar, sidomos një 5 vjeçari apo moshave të treta që nuk kanë pasur të bëjnë shumë me teknologjinë.

Çdo veprim i kryer online për të përforcuar biznesin dhe fitimet e tij konsiderohet pjesë e marketingut dixhital.

Çfarë bën një menaxher i marketingut dixhital?

  • Detyrat e tij mund të përfshijnë:
  • Krijimin e fushatave
  • Menaxhimin e rrjeteve sociale
  • Ideimin dhe pozicionimin e reklamave PPC
  • Krijmi i kontentit për fushata, rrjete, website etj.
  • Implementon strategji të mirëmenduara në varësi të produktit dhe klientelës së synuar

Në varësi të numrit të punësuarve të kompanisë dhe suksesit të saj, mund të duhen disa persona përgjegjës për të formuar një strategji marketingu “të paparë”.

Nëse duhet të shpjegojmë marketingun dixhital dhe çfarë duhet të jetë patjetër pjesë e strategjisë suaj, mund ta bëjmë në 3 koncepte të thjeshtuara, por tepër të rëndësishme për çdo biznes e çdo qëllim.

1 Një prezencë të fortë online

Kompania apo nisma juaj duhet të jetë lehtësisht e gjendshme online. Krijoni dhe mirëmbani profile në rrjetet më të rëndësishme: Facebook, Instagram, LinkedIn. Numri i ndjekësve do të rritet nëse tregoheni konsistentë dhe ofroni vlerë për ndjekësit. Kanalet e promovimit ndahen në: të paguara (paid), të fituara (earned) dhe organike. Një vlerësim dhe matje e këtyre kanaleve siguron që jeni në rrugën e duhur për prezencën e brand-it tuaj online. Paid media përgjithësisht përfshin fushatat e paguara në rrjete sociale apo Google për të rritur vizibilitetin tuaj.

Këshillë: Mos u fokusoni te numrat. Ndjekësit e blerë apo të fituar në mënyra “jo të ndershme” nuk janë të vlefshëm për askënd, madje rrjete si Instagram i penalizojnë këto llogari.

2 Ofroni vlerë

Si të rrisni në mënyrë organike ndjekësit? Si të gjeneroni vizitorë në website-n tuaj? Ofroni vlerë!

Rregulli 4-1-1 në botën e marketingut thotë se për çdo postim ku promovoni shërbimin tuaj (hard sell), duhet të ketë një post soft-sell dhe 4 postime me vlerë, bazuar në ekspertizën tuaj.

Cilado qoftë pyetja që klientët ju bëjnë më shpesh, mund ti përgjigjeni asaj me anë të postimeve në rrjete sociale apo në blog.

Shembuj:

  • Nëse keni një klinikë veterinare, mund të shkruani rreth ushqimeve më të përshtatshme për macet në moshë apo trick-eve që mund ti mësojmë qenushave.
  • Nëse jeni dentistë, mund të shkruani një guidë me këshilla për dhëmbë të shëndetshëm, pa kavitete dhe të bardhë.
  • Instruktorë palestre? Mund të postoni rreth gabimeve më të shpeshta që fillestarët bëjnë në palestër dhe si mund ti rregullojnë

Këshillë: Ndryshe nga shumica e strategjive me paid media- fushata të paguara marketingu, marketingu i kontentit zgjat më shumë në kohë derisa të fillojë të ofrojë fryte dhe të gjenerojë interes e klientë.

3 Besueshmëri

Brand është e gjitha eksperienca që ju ofroni. Çdo komunikim në telefon, çdo koment në rrjete sociale, çdo shërbim që ofroni, çdo rresht i tekstit në faqen tuaj web tregon një histori për kompaninë tuaj. Nëse kjo histori është negative apo pozitive, varet nga ju.

Besueshmëria, ky aspekt i cili nuk përmendet shpesh si pjesë e strategjisë së marketingut, mund të jetë më i rëndësishmi.

Shembuj:

  • Edhe nëse ju punësoni menaxherin më të aftë të marketingut, nëse ajo që reklamoni nuk përputhet me atë që ofroni, klientët nuk do ju besojnë dhe nuk do ju zgjedhin.
  • Ndjekësit tuaj pëlqejnë shumë dhuratat? Nëse ju bëni giveaway për të shtuar ndjekësit dhe klientët, por në fund përdorni metoda të pandershme për të zgjedhur fituesit, herët ose vonë ndjekësit do ta kuptojnë këtë dhe nuk do t’ju besojnë.

Besueshmëria është një nga monedhat më të vlefshme. Shpesh, bizneset zgjedhin “shortcuts”, rrugë të shkurta për të arritur qëllimet e tyre të shitjeve, marketingut, design etj. Si një ndërtesë e lartë, besueshmëria krijohet duke hedhur themele të forta, me shërbimet që ofroni dhe mënyrën si trajtoni çdo klient, aktual apo potencial.

Shumë marketierë fokusohen vetëm te shifrat, pa menduar që shifrat vijnë si produkt i një strategjie dhe shërbimi të mirë.

Këto janë 3 koncepte të çdo strategjie të konsoliduar të marketingut dixhital.