Në një mënyrë apo një tjetër, situata e pandemisë së COVID-19 na ka prekur të gjithëve. Puna, familja, shëndeti, mënyra si kalojmë kohën tonë të lirë, shëndeti ynë mendor, këto faktorë tepër të rëndësishëm janë ndikuar e ndryshuar prej këtij virusi.

Ky virus është shndërruar në pikën qëndrore të çdo bisede, por ky artikull ka një qëllim tjetër, t’ju japë disa lajme të mira rreth gjendjes momentale të virusit:

  1. Kina ka mbyllur spitalin e fundit të krijuar për Coronavirus, pasi nuk ishte më i nevojshëm.
  2. Shqiptarët janë bashkuar për të duartrokitur nga ballkonet e tyre, për të vlerësuar heronjtë e vërtetë, të gjithë mjekët e infermierët në frontin e parë të betejës.
  3. Është arritur progres galopant në gjetjen dhe krijimin e trajtimit të kësaj sëmundje.
  4. Një 103-vjeçare nga Wuhan është shëruar plotësisht nga COVID-19!
  5. Shumë shqiptarë janë ndërgjegjësuar dhe kanë vendosur të vetë-karantinohen për të ndaluar zhvillimin e sëmundjes.
  6. Gjigandi elektronik Apple ka rihapur të gjithë 42 dyqanet në Kinë.
  7. Numri i rasteve të reja të zbuluara është në rënie në Korenë e Jugut.
  8. 80002 është numri i të prekurve që janë shëruar (sipas https://corona.help/)
  9. Populli shqiptar ka zgjedhur forma të ndryshme të artit e humorit për të treguar solidaritet e pozitivet.

Shumë prej nesh po tregojmë kujdes, teksa qëndrojmë pozitivë e më të bashkuar se kurrë. Fatkeqësisht në media e rrjete sociale, por edhe në bisedat tona të përditshme virtuale, lajmet e këqija amplifikohen më shpesh dhe bëjnë bujë. Kjo e vështirëson të qëndruarit pozitiv, por lajme të tilla si të mësipërmet na japin shpresë për të ardhmen.

Masat e Çelësi Media Group

Shëndeti dhe siguria e stafit tonë janë prioritet për ne. Për këtë arsye, prej javës së kaluar, kemi vendosur që punonjësit tanë të qëndrojnë në shtëpi pranë familjes së tyre. Ne do të vazhdojmë të ofrojmë të gjitha shërbimet për klientët tanë. Pjesa më e madhe e punonjësve do të punojnë online nga shtëpia. Për çdo shërbim që ju nevojitet, mund të na kontaktoni në rrjetet sociale ose në website.

Ju ftojmë edhe ju të përkujdeseni për veten dhe të tjerët, e të ndani lajmet e mira të mësipërme me personat tuaj të dashur, në mënyrë që të ndihmojmë njëri-tjetrin për të qëndruar pozitivë!