Të shtunën e parafundit të Janarit, fatmirësisht një ditë me diell, Çelësi Media Group u nis për udhëtimin e përvitshëm të fundit të vitit. Fundi i 2019 solli fatkeqësitë natyrore që prekën të gjithë Shqipërinë, edhe ne, familjet tona, miqtë tanë, e çdo shqiptar.

Prandaj dhe ne vendosëm të festonim ardhjen e vitit të ri në një moment të dytë.

ÇELËSI MEDIA GROUP rruges per Janine

🎵 Në një arë, moj në një lëndinë, eja nisemi për në Janinë 🎵

Rruga ishte e mbushur me barcaleta, shaka, gjëagjëza e informacione historike. Ja edhe buzëqeshjet tona pas kafesë, duke shijuar lartësinë, shoqërinë e këtë pamje të bukur.

Pas disa orësh, arritëm në Greqi, në qytetin e bukur të Janinës.

Foto gjatë drekës në Janinë

Pas drekës, vizita me varkë e ishullit nuk duhej humbur. Janina është qyteti më i madh i Epirit dhe qendra e pazarit të zonës. Shëtitja në qytet ka ndjenjën e një epoke të tejkaluar, plot me vende të fshehta dhe legjenda që akoma jetojnë. Qyteti ka tradita të forta kulturore dhe është shtëpia e një numri romanticierësh e poetësh të mrekullueshëm, si dhe ngjarjesh artistike dhe intelektuale. Ishulli ndërkohë shtrihet buzë liqenit Pamvotis.

Pas vizitës me varkë në ishull, arritëm te muzeu i Ali Pashë Tepelenës. Veshje tradicionale, armë të asaj kohe, e piktura të panumërta të pashait.

Nga udhëtimi me varkë në ishull dhe nga muzeu i Ali Pashë Tepelenës

Pas vizitës së muzeut dhe turit me varkë, u nisëm për në hotel, ku na priste një natë e gjatë me muzikë e argëtim. Disa nga punonjësit u vlerësuan me çmime për kontributin e tyre në kompani. Verë, kërcim dhe një natë me reflektime dhe parashikime pozitive për të ardhmen.

🎵 Çelësi Media Group knows how to party 🎵

Ditën e nesërme, pas mëngjesit, u nisëm për Dodonë. Hapësira Arkeologjike e Dodonës shtrihet 22 km në jug-perëndim të qytetit të Janinës, rrëzë malit Tomaros. Ky vend historik në Greqi është i njohur kryesisht për teatrin antik dhe orakullin e Dodonës, gjetur atje mijëra vite më parë. Dodona ishte orakulli më i vjetër helen, së cilit Homeri i është referuar te Iliada II në vitet 748-750 p.e.s.

ÇELËSI MEDIA GROUP FESTON NË JANINË te orakulli i Dodones

Ja ku jemi sërish. Edhe pse e verdha është ngjyra (jo-zyrtare) e Çelësit, e kuqja mbizotëron në këtë foto ❤

Pas kësaj, Çelësi u nis për te shpella e Peramës. Me rreth 19 lloje të ndryshme stalagditesh e stalagmitesh, zbuluar rastësisht në 1940, kjo shpellë është ndër më të vjetrat dhe më të rëndësishmet në Greqi. Guida ishte tepër e përgatitur dhe e “armatosur” me fakte interesante rreth faunës së shpellës.

Përveç një vendi të paracaktuar, fotot në shpellë nuk ishin të lejuara. Kjo ishte më tepër një masë sigurie sesa përpjekje për të ruajtur privacinë e stalagditeve 🙂

Kështu, festuam fundvitin në fund të janarit. Pavarësisht peripecive që populli shqiptar kaloi në fund të 2019 dhe atyre që ka kaluar ndër shekuj, ne gjithmonë ia dalim. Me anë të shpresës e forcës së secilit prej nesh, nuk lejojmë asgjë të na mposhtë.

Herët ose vonë, udhëtimit tonë do ti vinte fundi, duhet të ktheheshim në mëmëdhe. Edhe dreka e vonë u shijua në treva shqiptare, specifikisht në Gjirokastër, ku ushqimi dhe shërbimi asnjëherë nuk zhgënjejnë.

Ne u kthyem të fuqizuar, gati për një vit e dekadë të paharrueshme.

Dëshiron të na bashkohesh? Po punësojmë për disa pozicione! Na dërgo rezymenë tënde këtu.