Dje, në kuadër të Vitit Mbarëkombëtar të Gjergj Kastriot Skënderbeut u zhvillua ceremonia e hapjes së ekspozitës me titull “Rrëfimet e një koleksioni albanologjik, Shqipëria dhe shqiptarët nga Skënderbeu tek Pavarësia”, pjesë e koleksionit privat të Ylli Sulës. Kjo ekspozitë  unike në llojin e vet mbledh bashkë për herë të parë, botimet e huaja përgjatë 500 viteve, të shkruara për Shqipërinë dhe shqiptarët.

Ekspozita është hapur ditën e djeshme , më 22 Tetor dhe do të vazhdojë deri më 30 tetor, tek Muzeu Historik Kombëtar “Salla e ekspozitave”.

Në ceremoninë e hapjes së kësaj ekspozite të veçantë morën pjesë Prof. Dr. Persida Asllani, drejtoreshë e Bibliotekës Kombëtare, Dr. Dorian Koçi, drejtor i Muzeut Historik Kombëtar, koleksionisti Ylli Sula, si edhe miq e dashamirës të apasionuar rreth koleksioneve, albanologjisë dhe historisë.

 

“Më lejoni që në emrin tim si drejtoreshë e Bibliotekës Kombëtare, të z.Dorian Koçit, drejtor i Muzeut Historik Kombëtar dhe z. Ylli Sula t’iu uroj mirëseardhjen. Ideja për këtë ekspozitë ka lindur prej shumë kohësh. Ne kemi një pasuri të çmuar kulturore dhe kjo pasuri është mbledhur nga koleksionistët tanë, disa prej të cilëve i kemi këtu të pranishëm. Koleksionistët këtë gjë e bëjnë me dëshirën e tyre, ndër të cilët Ylli Sula ka një koleksion mjaft të gjërë si libra, harta, revista, gravura etj. Në këtë ekspozitë janë të ekspozuar 300 njësi nga 1200, të cilat Ylli i zotëron. Unë jam këtu për të bërë një përshkrim delikat e të pastër. Ylli me këtë liri që i jep librit dhe koleksionit të tij, ka bërë të mundur që 200 vepra ti vendosë në dispozicion të Bibliotekës Kombëtare për dixhitalizimin e tyre dhe të jenë pjesë e koleksionit dixhital të bibliotekës”, u shpreh drejtoresha e Bibliotekës Kombëtare, Prof. Dr. Persida Asllani, e cila hapi ceremoninë.

 

Në fjalën e tij drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, Dr. Dorian Koçi, u shpreh se: “Borhesi në veprën e vet monumentale “Biblioteka e Babelit” rrëfen sesi Universi konsiston në hapësira dhomash hegzagonale të stërmëdha, të cilat përfshijnë dijet e mjaftueshme për të mbijetuar njerëzimi, si dhe katër dhoma të mëdha me rafte librash.
Rrëfimet e një koleksioni albanologjik. “Shqipëria dhe shqiptarët nga Skënderbeu tek Pavarësia” pjesë e koleksionit të studiuesit Ylli Sula përmban një koleksion unik librash, hartash dhe gravurash të vjetra të shekujve XV-XIX, që ekspozohen për publikun për herë të parë”.

“Kam shumë emocione, shprehu Ylli Sula gjatë fjalës së tij, “sepse nuk e prisja që kjo ekspozitë do te dilte kaq bukur këtë mbrëmje. Falenderoj pafundësisht për fjalët e mira të Persidës dhe Dorianit. Kanë qënë dy motive të forta që më kanë bërë të eci përpara, dashuria për leximin, librat dhe kureshtja për të njohur racën shqiptare.
Të gjithë librat e këtij koleksioni kanë të bëjnë më Shqipërinë dhë shqiptarët. Kam rreth 25 vite që koleksionoj libra dhe koleksionin nuk dua ta mbaj për vete, por dua ta ndaj me ju”, përfundoi koleksionisti Ylli Sula.